LDK: Pushteti me çdo kusht nuk po lejon hetimin për energjinë
F.Sertolli / RTKlive.com
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një konferencë për medie ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me skandalin e ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj.
Ky i fundit dyshohet se është implikuar në një skandal të madh financiar bashkë me kryetarin e Partisë së Lirisë në Slloveni, Robert Golob.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha se pikërisht ky skandal është ndër arsyet kryesore që mazhoranca po e kundërshton themelimin e Komisionit Hetimor.
Sipas saj, të gjitha skandalet e njëpasnjëshme janë një rezultat e një politike të brendshme populliste.
“Shkarkimet pas shpërfaqjes të së vërtetave janë të domosdoshme, pasi shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni e konsiderojmë se është njëra ndër arsyet kryesore pse ky pushtet po e kundërshton në të gjitha mënyrat formimin e komisionit hetimor”, tha Halimi duke shtuar se përmes këtij komisioni po synojmë t’i gjejmë të vërtetat e pushtetit.
Ajo tha se më kundërshtimin e formimit të këtij komisioni pushteti që me çdo kusht po mundohet t’i mbajë të fshehura ato.
Halimi, tha se kanë arritur t’i mbledhin 40 nënshkrime për formimin e këtij Komisioni dhe se nuk do të hiqet dorë derisa të themelohet ky komision.
Në anën tjetër, Shkëmb Manaj nga kjo parti ka thënë se Berishajt iu deshën shtatë muaj për të bërë pazar me blerjen e energjisë elektrike.
Ai tha se ky skandal është arsyeja e vetme e rezistencës së pushtetit për mosformimin e Komisionit Parlamentar.
“Ky skandal shpërfaq më së miri rolin e pushtetit me refuzimin e projektit amerikan të gazit. Përgjigjet do t’i marrim me hetimin parlamentar të cilin pushteti po mundohet ta ndalë”, tha Manaj.
Sipas tij, për herë të parë pushteti po mundohet të ndalë një nismë ligjore.
“Ky është pushtet absolut. Deri sot nuk është ndërmarrë asnjë masë, as ajo e pezullimit nga puna e ambasadorit. Nuk ka as dorëheqje morale, sepse e ka mburojë pushtetin”, ka thënë ai.























