Analistët: Të shfrytëzohet aktivizimi i diplomacisë amerikane
Fadil Sertolli / RTKlive.com
Aktivizimin e diplomacisë amerikane javëve të fundit, të cilët vizituan Kosovën e rajonin, analistët politikë e shohin me pozitivitet, sa i përket zhvillimeve të ardhshme në këtë pjesë Ballkanit.
Ata thonë se lidershipi kosovar duhet ta shfrytëzojë këtë aktivizim në mënyrë që marrëveshja Kosovë-Serbi, të arrihet sa më shpejt. Sipas tyre, status quo-ja nuk i konvenon Kosovës, ndonëse nuk presin që e njëjta të përmbyllet këtë vit.
Në deklarim për RTKlive.com, analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se diplomacia amerikane ka dinamizuar përpjekjet për të arritur më shpejt marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Sipas Mushkolajt, lidershipi kosovar duhet ta shfrytëzoj këtë aktivizim të diplomacisë amerikane.
“Ky moment i interesimit amerikan duhet të shfrytëzohet nga lidershipi kosovar, në mënyrë që marrëveshja të arrihet sa më shpejt”, thotë Mushkolaj për RTKlive.com.
“Porosia amerikane është e qartë – status quo-ja i konvenon Rusisë”.
Prandaj, Mushkolaj deklaron që Kosova nuk duhet të gjejë kurrfarë arsye që të mos angazhohet seriozisht në arritjen e marrëveshjes.
Në anën tjetër, edhe analisti politik Ardian Çollaku, thotë se zyrtarët amerikanë po bëjnë presion që sa më parë të përmbyllet dialogu Kosovë- Serbi, sidomos tani pas luftës Rusi- Ukrainë.
“Gjatë vizitës së fundit të delegacionit amerikan, mesazhet ishin shumë të qarta: Dialogu Kosovë- Serbi duhet të përmbyllet sa më parë dhe me njohje reciproke”, thotë Çollaku për RTKlive.com.
Ndërkaq, rreth asaj se a do të ketë marrëveshje këtë vit, analistët nuk e përjashtojnë një mundësi të tillë, ndonëse shumë varet nga gatishmëria e palëve dhe presioni amerikan.
“Sa më i madh që të jetë presioni amerikan, aq më shpejt do të arrihet marrëveshja”, thotë Mushkolaj për RTKlive.com.
Edhe analisti Çollaku nuk beson që dialogu mund të përmbyllet këtë vit, mirëpo siç shprehet, ai presioni amerikan ka synim qe dialogu të hyjë në një dinamikë të re.
“Kjo për faktin se aktualisht dialogu ka stagnuar. Megjithatë, nevojitet një konsensus nacional për këtë temë, dhe është detyrë e Kurtit dhe Osmanit që të inkuadrojnë edhe opozitën ne këtë proces”, tha Çollaku për RTKlive.
Ndryshe, javëve të fundit në Kosovë dhe rajon qëndruan zyrtarë të lartë amerikanë si Karen Donfried, Ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështje Europiane dhe të Eurazisë. Ajo në Prishtinë tha se status-quoja nuk është mirë të vazhdojë. Ndërkohë, javë më parëm qëndruan edhe tre senatorë amerikanë.























