Kamberi do të jetë sërish zëri i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë
Shaip Kamberi ka marrë votat e mjaftueshme në rivotimet në Tërnoc për të qenë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.
Ai në një intervistë për gazetarin Alban Selimi në Lajmet në RTK, ka thënë se 610 vota janë të mjaftueshme në vendvotimin në Tërnoc që të arrijë të bëhet deputet.
“Ne sot me angazhimin tonë, arritëm se përmes gjykatës të rikthejmë në votim njësinë numër gjashtë dhe sipas rezultateve preliminare, janë 670 votues që kanë dalë dhe kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre. Ne llogarisim se të gjithë janë për koalicionin tonë, 610 votues do të jenë mjaftueshëm. Sipas asaj që presim po, presim fitore ndërsa do të presim rezultatin final. Nuk ka pas pengesa apo problem të theksuar, çështja e Ramazanit ka ndikuar që votuesit tanë të dalin më shumë mesdite. Shpresojmë së të gjithë këto vota të dalin”, tha Kamberi.
Procesi i rivotimit në vendvotimin numër 6 në fshatin Tërnoc ka përfunduar, ndërsa mediat në Luginë raportojnë se Shaip Kamberi ka siguruar votat që të jetë edhe për një mandat deputet në Kuvendin e Serbisë.
Sipas mediave lokale atje rezultati në Tërnoc është si vijon: Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë 686 vota, SNS 1 votë, derisa 11 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.
Në orët e vona Shaip Kamberi ka shkruar në Facebook dhe ka falënderuar të gjithë ata që dolën ta votonin, derisa ka thënë se do të jetë zë i të gjithë shqiptarëve në Serbi pa dallim.
“Faleminderit pafund Qytetarëve të Lagjës së Strukarëve të cilët përtej bindjeve politike sot votuan për përfaqësimin e shqiptarëve. Njëzëri. Faleminderit partnerëve të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës për angazhimin, përkushtimin dhe betejën që udhëhoqëm e fituam bashkë. Faleminderit edhe subjekteve tjera politike që veprojnë në Bujanoc e të cilat dëgjuan drejtë nevojën e popullit shqiptar për vazhdimin e përfaqësimit parlamentar. Vëzhguesve të PVD-së, PD-së, LPD-së e APN-së për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor duke e ruajtur kështu të drejtën themelore të demokracisë – që mundësuan realizimin e votës së lirë. 28 Prilli na bëri të gjithëve bashkë e bashkë ia dolëm të gjjthë. Unë do të vazhdojë të jem zëri i të gjithë qytetarëve pa dallim. Përtej çdo bindje politike janë shqiptarët. Faleminderit! Bashkë ia dolëm”, shkroi Kamberi.























