Haradinaj: Rikonfirmuam qëndrimin tonë për gazsjellësin amerikan
F.Sertolli / RTKlive.com
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve. Këtë vlerësim nëpërmjet Facebook, Haradinaj e bëri pas takimit me drejtoreshën e Misionit të MCC në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Sarah Olmstead.
Ai tha se Kosova ka arritur të ndërtojë demokraci të qëndrueshme dhe të avancojë në zhvillim, falë ndihmës së aleatëve tanë.
“Kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i pazëvendësueshëm dhe programi Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është dëshmi e vazhdimësisë së këtij partneriteti afatgjatë mes dyja vendeve”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka rikonfirmuar qëndrimin e tij për gazsjellësin amerikan.
“I konfirmova edhe njëherë mbështetjen time për projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, si dhe për projektet e tjera strategjike në dobi të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.























