VIDEO - Vajzat në teknologji, mundësi e mirë për punësim
Valbona Tahiri /RTK
Tea Pula e cila tashmë është zhvilluese e softuerit në kompaninë “Kode Labs”, në ligjëratën e mbajtur për vajzat e shkollës “Gjergj Fishta”, me temën “TIK si zgjedhje e karrierës” tregoi si është larguar nga mjekësia dhe ka përzgjedhur fushën e teknologjisë si të ardhmen e saj.
Tea Pula e cila tashmë është zhvilluese e softuerit në kompaninë “Kode Labs”, në ligjëratën e mbajtur për vajzat e shkollës “Gjergj Fishta”, me temën “TIK si zgjedhje e karrierës” tregoi si është larguar nga mjekësia dhe ka përzgjedhur fushën e teknologjisë si të ardhmen e saj.
E nxënëset treguan se këto ligjërata u mundësojnë atyre që të njoftohen më në detaje se cila është e ardhmja e tyre në fushën e teknologjisë informative.
“Ligjërata po më pëlqen dhe jam shumë e interesuar për teknologji duke e marrë parasysh se të gjitha lëndët që i mësojmë në shkollë janë të lidhura me teknologji”, tha Enea Selmani, nxënëse
“Më duket shumë interesant se po mësojmë si me i bë dizajnimet edhe si janë krijua gjërat rrjetet sociale apo dizajnim por pasi dëgjova këtë ligjëratat po më duket interesant me bë edhe programe të ndryshme”, tha Morea Lajçi, nxënëse
Ligjëratat e tilla u zhvilluan në kuadër të javës së vajzave në TIK, të cilën për herë të parë e ka organizuar komuna e Prishtinës me moton “Vajzat në TIK”. Zgjedhja e kësaj fushe është edhe një mundësi e mirë për punë.
“Mënyra se si po mundohemi t’i emancipojmë vajzat që të zgjedhin një karrierë në TIK është duke ofruar trajnime kualitative në akademinë tonë, ku më pas ato e kanë mundësinë që t’i bashkohen kompanisë si praktikante për 3 muaj dhe më pas ato punësohen gjithmonë duke u bazuar në performancën”, tha Liridona Syla nga kompania “Kutia”.
Në pajisjen e shkollave me kabinete të teknologjisë informative do të investohet edhe këtë vit nga komuna e Prishtinës.
“Është bërë një punë e mirë e pajisjes me kabinete me pajisje të TIK-ut dhe me internet, por ne si komunë edhe këtë vit do të investojmë në furnizimin me kabinete të reja të teknologjisë informative dhe shpresojë që gjatë vitit të gjitha shkollat të jenë me pajisje të reja...”, tha Besianë Musmurati, drejtoresha e arsimit në Prishtinë.
Java e vajzave në teknologji viteve në vazhdim pretendohet të zgjerohet edhe në qytetet e tjera të Kosovës.























