Krasniqi: Në Studime u kryen krime çnjerëzore mbi civilë të pambrojtur
BKT
Lajme

Krasniqi: Në Studime u kryen krime çnjerëzore mbi civilë të pambrojtur

Naser Mekolli /RTKlive.com

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qëndruar sot në Studime të Vushtrrisë, në përvjetorin e 23`të të masakrës së kryer nga forcat paramilitare të Serbisë mbi popullsinë civile shqiptare.

Krasniqi ka kujtuar nëpërmjet një postimi në Facebook tmerrin e 2 majit 1999 që ndodhi në Studime të Vushtrrisë.

"Me 2 maj të vitit 1999, në Studime të Vushtrrisë, forcat kriminale serbe kishin marrë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun dhe, para syve të tyre, u kishin ekzekutuar familjarët një nga një. Atë ditë të kobshme, familjes Gërxhaliu iu ekzekutuan 36 anëtarë të familjes. Sebahudini, djali i Selatinit ishte vetëm 5 vjeç, ndërkaq, nëna e tij, Sala, ishte 85 vjeç", tha Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se në Studime, krimet çnjerëzore të një ushtrie të etur për gjak e masakra mbi civilë të pambrojtur, vazhduan edhe mbi familjet Gërguri, Rashica, Sfarça e shumë familje të tjera.

"116 civilë, të paarmatosur e të pafajshëm, nga të gjitha moshat e gjinitë - fëmijë, gra, burra e pleq, u ekzekutuan pa asnjë mëshirë atë ditë të kobshme. Edhe 23 vite më pas, drejtësia vazhdon të heshtë për të gjithë këta martirë, edhe për Sebahudinin 5 vjeçar, i cili atëkohë ende nuk kishte nisur shkollën. Sot, ai do të kishte qenë 28 vjeç! Prandaj, ne nuk guxojmë të harrojmë asnjëherë vuajtjet dhe sakrificën që ka kaluar populli ynë në rrugën e lirisë. Sot, nesër dhe secilën ditë tjetër, ne do të kërkojmë drejtësi dhe ndëshkim të kriminelëve. Lavdi martirëve të Studimes!", ka shkruar Krasniqi.

Sot mbushen 23 vjet nga masakra në Studime të Vushtrrisë ku forcat kriminele serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.

 


MË SHUME NGA Lajme