Dy të vdekur në një aksident trafiku në Gllobarë të Drenasit (e plotësuar)
RTKlive
Dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar, si pasojë e një aksidenti në komunikacion në Gllobarë të Drenasit.
Nga informatat e mëhershme dhe të konfirmuara edhe nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, rasti ka ndodhur rreth orës 14:00.
“Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident dhe, për pasojë, dy persona kanë humbur jetën, përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime. Trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkaq të lënduarit janë dërguar në QKUK – Prishtinë, për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci.
Aksident i rëndë në hyrje të Drenasit, tre të lënduar
Në magjistralen Skenderaj – Drenas, në fshatin Gllobarë, sot pasdite ka ndodhur një aksident, në të cilin janë përfshirë të paktën dy vetura, ku si pasojë e kësaj, sipas informatave më të fundit, bëhet e ditur se tre persona janë të lënduar, në mesin e tyre edhe një fëmijë.
“Të paktën janë tre të lënduar rëndë, në mesin e tyre edhe një fëmijë”, njofton gazetarja e RTK-së, Trëndelina Ramadani.
Si pasojë e këtij aksidenti në rrugën Skenderaj – Drenas, në fshatin Gllobarë, tre personat e lënduar kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri tek aksidenti.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në 24 orët e fundit, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, 19 aksidente trafiku me të lënduar dhe 18 aksident trafiku me dëme materiale. Gjithashtu bëhet e ditur se në 24 orët e fundit, janë shqiptuar 1239 tiketa trafiku.























