Specialja cakton seanca ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit
Jeton Musliu / RTKlive.com
Katër seanca dëgjimore janë caktuar ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë. Ndërkohë, më shumë se 30 faqe të reja do t’i shtohen aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Seancat do të mbahen veç e veç me secilin prej të akuzuarve.
Plotësimi i aktakuzës është bërë pasi gjyqtari i procedurës paraprake, në fundt të vitit të kaluar, aprovoi kërkesën e Prokurorisë për të shtuar akuza të reja ndaj krerëve të UÇK-së.
Gjykata e Apelit në Speciale i hodhi poshtë ankesat e mbrojtjes së Thaçit e Veselit.
Ndërkohë, hetimet kanë filluar tash e 10 vjet dhe ndonëse ata janë të akuzuar, ato ende nuk kanë përfunduar, por vazhdojnë të plotësohen, duke i vështirësuar në këtë mënyrë punën mbrojtjes së tyre.
Në anën tjetër, edhe pse ende nuk ka filluar procesi gjyqësor, ata kanë një vit e gjysmë që po mbahen në paraburgim.
Ne rastin e Ramush Haradinaj, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, procesi ka zgjatur rreth 13 muaj, derisa në paraburgim ka qenë vetëm disa muaj.
Ndërkohë, mbrojtja e Thaçit e të tjerëve, konfirmuan për RTKLive.com se aktakuza ndaj tyre është trefish më e madhe sesa e diktatorit Sllobodan Millosheviq.
“Sipas një përllogaritjeje të avokatëve të mbrojtjes, gjyqi ndaj krerëve te UCK-së, me këtë ritëm e këtë lloj procedure, mund të zgjasë deri në 10 vjet”.
Sidoqoftë, seanca ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, do mbahet të martën e 10 majit me fillim në orën 10:00 kurse ndaj Kadri Veselit, ish kryetar i Kuvendit, do mbahet ytë njëjtën ditë, por nga ora 11:15.
Të martën gjithashtu do të mbahen seancat edhe ndaj Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, me fillim prej orës 14:00 dhe 15:15.























