Gazetarët ukrainas, mes bombave dhe lirisë së medias
K.K
Në “Imazhin e ditës” në RTK, gazetarja ukrainase e transmetuesit publik, Olena Removska, ka folur për Ditën Ndërkombëtare të Shtypit. Në një lidhje me Skype, ajo tha se si gazetare kjo ditë po e gjen të ngujuar në korridorin e shtëpisë së saj, e jo në zyrë dhe tryezë të punës, nga frika e granatimeve. Puna e saj si gazetare është një sfidë në vete. Olena ka folur edhe për luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Ajo tha se nuk ka informata të sakta sa i përket viktimave.
Ndër të tjera, gazetarja ukrainase Olena Removska deklaroi se gazetarët ukrainas momentalisht punën e tyre nuk po e kryejnë në vendin e duhur dhe se sfidë tjetër e tyre është se ata mund të vriten kudo.
“Nuk mund të kryejmë punën tonë qoftë duke punuar edhe nga distanca. Gazetarët ukrainas mund të vriten, jo në front ku me vetëdije merr rrezikun përsipër, por mund të vritesh edhe në shtëpi siç u vra edhe një kolege e imja javën e kaluar" tha për RTK-në, Removska.
Sipas taj, një sfidë tjetër për gazetarët ukrainas në këtë ditë të festimit të shënimit të lirisë së shtypit, është se shumë kolegë të saj janë detyruar ta braktisin shtëpinë e tyre.
"Disa prej tyre tashmë janë jashtë vendit, të tjerë tashmë janë vendosur në Kiev apo në pjesën perëndimore të Ukrainës, duke u përpjekur të gjejnë strehim, pasi që disa i kanë humbur shtëpitë e tyre, kanë ikur nga pjesët ku po kryhen luftime apo edhe nga Mariupoli", ka thënë në "Imazhin e Ditës" , gazetarja ukrainase Olena Removska.
Për më shumë ndiqeni videon e plotë:























