Muhaxhiri: Takimi i Berlinit do ta qartësojë dialogun Kosovë - Serbi
Valbona Thaçi / RTKLive
Kancelari gjerman Olaf Scholz do t’i presë sot në Berlin në takime të ndara kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Po ashtu, takim do të ketë edhe me të dërguarin e veçantë për dialog, Miroslav Lajçak.
Njohësit e çështjeve politike kanë deklaruar se ky takim pritet të prodhojë përafrim ndërmjet palëve ose edhe transformim të dialogut.
Për analistin Artan Muhaxhiri ky takim vjen në një moment mjaft kritik për zhvillimet politike në Bashkimin Evropian dhe angazhimet e shumta të kancelarit Scholz për luftën në Ukrainë.
“Takimi do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse do të jetë qartësues nëse ekziston mundësia që dialogu të shkojë përpara dhe cilat do të jenë modelet apo nëse duhet që të transformohet dialogu. Sepse nëse Kosova e Serbia janë kaq larg njëra-tjetrës, atëherë duhet një zgjidhje e re, një ide e re për ta çuar dialogun përpara. Ndryshe, formatin aktual dialogu është bllokuar”, tha Muhaxhiri në emisionin “Aktual” në RTK.
Sipas tij ideja e këtij takimi është që të bëhet një ndryshim kualitativ në dinamikën e dialogut, në mënyrë që të shkohet drejt marrëveshjes finale.
Ndërkaq, korrospodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina thotë se ky takim vjen si pasojë e ngecjes së dialogut dhe zmbrapsjes së palëve, por sipas saj ky nuk është raund i ri i dialogut.
“Takimet me kancelarin Scholz kanë peshë të veçantë politike. Darka joformale nuk është dialog, është vetëm darkë, sepse nuk po mbahet në Bruksel dhe nuk është raund i ri në nivelin e lartë politik”, ka thënë Tuhina.
Ajo tutje theksoi se nuk dihet se çfarë do të jetë rezultati i takimit të sontëm, mirëpo ajo pret që ky takim të qartësojë nëse do të shkojnë apo jo në Bruksel liderët e dy vendeve për të mbajtur një raund të ri të bisedimeve, ku në tavolinë janë marrëveshja për energjetikën dhe marrëveshja mbi të pagjeturit.
Ndërkaq, Anamari Repiq korrospodente në Beograd, thotë se zyrtarët në Beograd presin që të diskutohet për temat aktuale politike, mirëpo ajo që presin më shumë është që në Berlin të bisedohet për çështjet bilaterale veçanërisht për bashkëpunim ekonomik midis Gjermanisë dhe Serbisë.
“Vuçiq ka deklaruar se do ta prezantojë qëndrimin e Serbisë në lidhje me Kosovën, ku sipas tij Serbia nuk do të mund të ndryshoj qasjen e Gjermanisë e as të perëndimit ndaj Kosovës. Për këtë arsye, ai, ka deklaruar se bisedimet në Berlin nuk do të jenë të lehta dhe në përgjithësi në Serbi vlerësohet se është një takim i rëndësishëm edhe pse nuk kanë besim që do të ketë diçka konkrete”, ka thënë Repiq.
Ajo tha se në Serbi opozita dhe analistët këtë takim e shohin të rëndësishëm sepse do të diskutohet çështja e Kosovës dhe stabiliteti në rajon, e sipas disa mendimeve me rëndësi është te dërgohet një mesazh se çështja e Kosovës nuk është anashkaluar për shkak të luftës në Ukrainë.
Sipas saj ajo çka kritikohet në Serbi është se nuk ka informacione të sigurta se për çka do të diskutohet dhe se cili është pozicioni i fundit i Vuçiqit lidhur me Kosovën dhe cila është hapësira për kompromis.























