Temat Scholz-Kurti-dialogu, vizat, lufta, ekonomia (E plotësuar)
BKT
Foto: Gentiana Begolli-Pustina/ RTK
Lajme

Temat Scholz-Kurti-dialogu, vizat, lufta, ekonomia (E plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive

Kancelari gjerman,Olaf Scholz dhe kryeministri Albin Kurti, pas takimit në Berlin, para  medieve,  dhanë sqarime për temat që biseduan.

Kancelari Scholz vlerësoi lart qëndrimin e  Kosovës sa i përket agresionit të Rusisë mbi Ukrainë , duke vënë në pah se shteti i ri në Ballkanin Perëndimor është vënë në linjë me shtetet  demokratike.

Scholz tha se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës. “Në të ardhmen duhet të jenë pjesë e BE-së. Në këtë grup, bën pjesë edhe Kosova”, tha Scholz.

Ai deklaroi se Gjermania dhe Kosova janë të ndërthurur ngushtë edhe në aspektin ekonomik.

“E inkurajova kryeministrin Kurti për dialog dhe i vlerësojmë reformat impresionuese. Reforma në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, tha kancelari gjerman në konferencë për media me kryeministrin Kurti.

Ai u shpreh se këto reforma  nuk arrihen brenda natës. “Ne jemi  të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën edhe për energjinë e ripërtritshme”.

Kancelari Scholz folie dhe për liberalizimin e vizave ku tha se Qeveria Federale angazhohet dhe është e interesuar që kjo të ndodhë sa më shpejtë, ndonëse u shpreh se nuk mund të japë datë se kur mund të ndodhë kjo.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është e përfshirë edhe në marrëveshjen  e koalicionit të partnerëve qeverisës në Gjermani”, tha Scholz.

Ai foli edhe për procesin e Berlinit ku sipas tij, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim, duke treguar se shumë shpejt do të ketë një rigjallërim të këtij procesi.

“Patëm shumë tema dhe gëzohem që do t’i vazhdoj ato në një vizitë në Prishtinë”, paralajmëroi kancelari Scholz.

Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti tha se Gjermania është vend mik dhe aleat strategjik i Kosovës dhe se dy vendet  ndajnë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë e barazisë për të gjithë.

“Kemi shfrytëzuar mirë këtë kohë për diskutuar tema për vendet tona dhe kontinentin  tonë”, tha Kurti, sipas të cilit, tema e parë ishte lufta në Evropë dhe agresioni i  paprovokuar e pajustifikuar i Rusisë në Ukrainë, të cilën Kosova e dënon dhe e ka dënuar që në ditën e parë.

“Kosova  është solidarizuar me Ukrainën duke vendosur sanksione ndaj Rusisë në linjë me BE-në dhe SHBA-në”, tha kryeministri  Kurti.

“ Kemi ofruar strehim për 20 gazetarë të Ukrainës. Kemi ofruar mundësinë për  të strehuar deri në  5 mijë refugjatë dhe kemi hequr vizat për ukrainasit”, tha Kurti.

Ai tha se imazhet e luftës në Ukrainë,  populli i Kosovës i përjeton rëndë sepse i ka përjetuar nën lëkurë nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, vetëm 23 vjet më parë, regjim i cili u ndal  falë  ndërhyrjes së botës demokratike e NATO-s.

“I tregova për zhvillimet e fundit ekonomike në vend. Demokracia funksionin opozita i fiton zgjedhjet e mediet janë të lira kurse qytetarët pakicave gëzojnë të drejtat kushtetuese, që janë më të mirat  në Evropë”.

Kryeministri u shpreh se Qeveria që drejton, ka bërë përpjekje për fuqizim të sundimit të ligjit e në luftë kundër krimit e korrupsionit.

“kemi hapur gjykatën komerciale të gjitha këto do të ndihmojnë për ambient më të mirë biznesi në Kosovë. Biseduam për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve”, u shpreh Kurti.

Ai rikujtoi se në gjermani, është mërgata kosovare e cila prej rreth 400 mijë personash, janë urë e fortë mes dy vendeve dhe potencial i madh për investime në Kosovë.

Ai u bëri thirrje edhe 5 vendeve të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kosova është tregim suksese dhe kemi nevojë për ndihmën e Gjermanisë dhe akter i rëndësishëm edhe botë”.

Kurti tha se nga kancelari kërkoi ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave e vizave pasi në korrik  bëhen katër vjet prej që Komisioni Evropian ka  rekomanduar për herë të dytë  që Kosova i ka plotësuar kriteret.

“Është koha që Këshilli i BE-së të marrë vendim dhe mjaft është mjaft. Anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe përfshirja në Partneritetin  për Paqe, janë synimet tjera ku  llogarisim në ndihmën e Gjermanisë”, u shpreh kryeministri Albin kurti.

Ai tha se mirëpret procesin  e Berlinit me dinamikë të re, mbështetë tregun rajonal që ndodhet brenda procesit të Berlinit por jo edhe iniciativa të tjera paralele.

Në lidhje  me dialogun me Serbinë, Kurti tha se Kosova është pro-aktive duke sjell edhe propozime.

“Dialogu duhet të jetë për marrëveshje  me njohje reciproke në qendër e jo në fund të procesit, e të përkushtuar të ecim shpejt e të kemi rezultate konkrete”.

“Jam shumë i gëzuar që do t’ju mirëpres në Prishtinë dhe e ftoj kancelarin të vijë me një grup sipërmarrësish për të parë mundësitë për investime”, tha në fund të fjalës së tij, kryeministri Albin Kurti.

Ora 16:50

Takimi Scholz-Kurti, gjithçka gati për adresim para mediave

Gjithçka është gati për konferencën për media të kryeministrit Albin Kurti e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Berlin.

Takimi ndërmjet tyre tashmë ka filluar dhe kurse rreth orës 16:30 minuta, pritet që Kurti e Scholz tu drejtohen medieve.

Sipas agjendës, Kurti e Scholz do të pranojnë vetëm nga dy pyetje secili.

Ekipi i RTK-së që po ndjek nga vendi i ngjarjes këtë vizitë të nivelit të lartë, do të bëjë të mundur edhe transmetimin ne drejtpërdrejtë të kësaj konference.

Ndërkohë, në studion e RTK-së,  emisioni “Imazhi i ditës” fillon  sot për një orë më herët sesa koha e rregullt.  

Në kuadër të këtij emisioni informativ që nis në orën 16:00, do të debatohet për vizitën në Gjermani, të kryeministrit Albin Kurti.

Të ftuar të gazetares Blerta Foniqi-Kabashi janë Arta Tahiri-Beqa, pastaj Violeta Haxholli nga KDI dhe Valon Murati nga LB.

Gjithashtu, do të ketë edhe lidhje të tjera të drejtpërdrejta.

Ora 15:45

Kryeministri Kurti nis takimin me kancelarin Scholz në Berlin

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pret në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në Berlin, ata do të zhvillojnë një takim, i cili do të pasohet nga mbajtja e një konference për media të të dy zyrtarëve të lartë.

Kancelari Scholz do të presë në takime dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq ndërkohë që kryeministri kosovar, do të ketë edhe një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Në Berlin me ftesë të kancelarit Scholz po qëndron edhe Miroslav Lajçak, i dërguariI posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi I cili në orën 19:45 minuta, do të ketë një darkë joformale me kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq.

Ky është takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman, prej që ky I fundit mori këtë detyrë, muaj më parë, nga paraardhësja Angela  Merkel.

RTK do të sjellë hap pas hapi këtë vizitë, nëpërmjet ekipit të dërguar në Berlin, në përbërje të gazetares Gentiana Begolli-Pustina dhe kameramanit Arben Llapashtica.


MË SHUME NGA Lajme