Haxholli: Vështirë që Serbia të lëvizë drejt njohjes së Kosovës
BKT
RTK
Lajme

Haxholli: Vështirë që Serbia të lëvizë drejt njohjes së Kosovës

Emine Hoti/RTKlive

Raportet Kosovë -Serbi dhe procesi i dialogut ka shumë kohë që janë zhvilluar me hapa të ngadaltë. Ky takim dhe ftesa e kancelarit gjerman Olaf Scholz tregon angazhimin e Gjermanisë dhe një përpjekje për t’i dhënë një dinamikë të re këtij procesi. Kështu ka thënë Violeta Haxholli nga KDI e ftuar në emisionin ‘Imazhi i ditës’ në RTK.

Ajo tha se ka kohë që është tentuar për një takim me kryeministrin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq .

“Tani kur ka përfunduar procesi zgjedhor në Serbi dhe Vuçiqit i është konfirmuar legjitimiteti dhe tani kemi dy shtete që janë legjitimuar nga procesi zgjedhor dhe janë krijuar kushtet që procesi  i dialogut të vazhdojë në të gjitha konditat e përcaktuara demokratike.Ndonëse qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë janë diametralisht të kundërta, sidomos të përfaqësuesve të Serbisë që nuk janë të gatshëm të lëvizin drejtë njohjes së Kosovës”, tha ajo në emisionin ‘Imazhi i ditës" në RTK.

Haxholli tha se edhe sot kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se qëllimi i dialogut duhet të jetë njohja reciproke."Tani çdo herë e më shumë po përmendet njohja si qëllim final i marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë", tha ajo.

Ajo tha se shumë shtete të BE-së, mendojnë se njohja është zgjidhja e çështjes së problemeve të Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi pak pesimist lidhur me mundësinë që Serbia të lëvizë përpara drejtë njohjes së Kosovës, prandaj edhe shihet e vështirë një marrëveshje e tillë ku epilogu do të ishte njohja e Serbisë për Kosovën”, shprehet Haxholli.

Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, ajo tha se situata gjeopolitike ka ndikim në këtë pjesë duke ditur afërsinë e Serbisë me shtetin rus .

“BE ka mundësi t’i bëjë më shumë presion Serbisë që t’i mbyll kapitujt.Në anën tjetër Kosova nuk e bllokon procesin e dialogut. Kur vjen fjala te kompromiset e reja duhet të jetë vështirë që Kosova të bëj një kompromis. Janë arritur 35 marrëveshje, ndërsa nëse kërkohet një k ompromis i ri eventual është e vështirë që të arrihet kjo marrëveshje. Kosova çfarë mund të bëjë është që të tregohet konstruktive në takimet për dialog”, tha Haxholli .

Ajo beson që Serbisë do t’i kërkohet edhe një qëndrim që të vendos sanksione ndaj Rusisë dhe të jetë më konstruktive në raport me Kosovën.

“Unë besoj se sa i përket krizës në Ukrainë, Kosova është rreshtuar mirë”, nënvizoi ajo.


MË SHUME NGA Lajme