Baerbock rikonfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave (e plotësuar)
BKT
Foto: Albin Kurti/Instagram
Lajme

Baerbock rikonfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave (e plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Ministrja e Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Duke e falënderuar ministren Baerbock për qasjen parimore dhe qëndrimin e saj aktiv pro-evropian, kryeministri Kurti theksoi lidhjen e fortë dhe të veçantë të Republikës së Kosovës me Republikës Federale të Gjermanisë.

Në një njoftim nga Qeveria e Kosovës thuhet se ministrja Baerbock vlerësoi mbështetjen e Kosovës dhe pozicionimin me Bashkimin Evropian, duke vendosur sanksione kundër Rusisë dhe gatishmërinë për strehim të refugjatëve nga Ukraina.

“Në takimin e përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u bisedua për mundësitë në rritje për bashkëpunim dypalësh ndërmjet të dyja vendeve dhe takimeve më të shpeshta ndërmjet ministrave. Kryeministri Kurti veçoi potencialin për investime në Kosovë dhe mërgatën e madhe të Kosovës në Gjermani. U bisedua për domosdoshmërinë e fazave të reja të bashkë punimin me theks në investime ekonomike dhe në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje vazhdon njoftimi se Kryeministri Kurti theksoi përkrahjen e fuqishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Procesin e Berlinit, rolin konstruktiv të Kosovës në bashkëpunimin rajonal si dhe në procesin e dialogut.

Po ashtu, ai i foli për të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë vit qeverisje, veçanërisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Puna në luftimin e korrupsionit në Kosovë është sinjal i mirë  dhe shembull për vendet e tjera, tha Ministrja Baerbok.

“Ajo rikonfirmoi mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurti pritet nga kryediplomatja gjermane Baerbock

Kryeministri Albin Kurti, pas takimit me kancelarin Olaf Scholz, ka vazhduar takimin e  radhës në Berlin.

Para darkës joformale që do të fillojë në orën 19:45 minuta, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, ai ka takuar ministren e Punëve të jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Takimi ka filluar rreth orës 17:15 minuta.  

Kryeministri Kurti në një storie në profilin e tij në rrjetin social Instagram, ka treguar se në kuadër të vizitës së tij një ditore në Berlin ka takuar edhe kryediplomaten gjermane Baerbock.


MË SHUME NGA Lajme