Hamiti: Scholz mund t’i japë impulse të reja dialogut
Fadil Sertolli / RTKlive.com
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka komentuar takimin e Kurtit me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz në Berlin.
Hamiti tha se takimi i sotëm i Kryeministrit të Kosovës me Kancelarin e Gjermanisë është me peshë për marrëdhëniet bilaterale të vendeve tona si dhe për dialogun Kosovë – Serbi.
“ Është nga takimet e pakta të z. Kurti në nivel të lartë në 14 muaj qeverisjeje”, tha Hamiti për RTK-në.
Gjermania, sipas tij, është partner i rëndësishëm ekonomik i vendit tonë.
“Duke qenë vetë Gjermania fuqia e motorike ekonomike e Evropës, ka peshë politike,po ashtu, në BE, që është me shumë rëndësi për Kosovën, si vend që synon anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në BE, më tej, për NATO-n”, shprehet Hamiti.
Tutje,sipas tij, pas vizitës së rëndësishme para disa ditëve të diplomates së lartë amerikane, ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, Karen Donfried, e cila erdhi në Prishtinë dhe shkoi në Beograd për të riafirmuar urgjencën e dialogut Kosovë- Serbi, me strumbullar të marrëveshjes njohjen reciproke, siç thotë ai, Kancelari Scholz mund t’i japë impulse të reja dialogut që lehtësohet nga BE-ja.
“E tha vetë ai se dialogu u hap rrugën të dyja vendeve drejt BE-së. Ka një urgjencë ndërkombëtare rreth dialogut Kosovë-Serbi, sidomos në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeostrategjike mbas agresionit të Rusisë në Ukrainë”, shprehet Hamiti.
Sipas tij, Qeveria Kurti duhet ta shfrytëzojë këtë momentum.
“Për fat të keq, dialogu ka ngecur në vitin e kaluar, gjatë kësaj qeverisjeje. Qeveria e minimizonte rëndësinë e dialogut dhe, për pasojë, u krijua perceptimi se Kosova nuk është e interesuar për dialog. Status quo-ja, e kemi thënë vazhdimisht, nuk i konvenon Kosovës. I konvenon Serbisë. Miqtë tanë amerikanë e thanë vetë se status quo-ja i konvenon Kremlinit”, tha Hamiti për RTK.
Sidoqoftë Hamiti shpreson që Qeveria e Kosovës të bëjë çmos që ta kthejë dialogun Kosovë – Serbi në binarët e dialogut politik.
” Qeveria e Kosovës të bëjë çmos që ta kthejë dialogun Kosovë – Serbi në binarët e dialogut politik, për elemente të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, me njohje reciproke, siç ka qenë në kohën kur LDK-ja e ka drejtuar Qeverinë dhe dialogun, dhe jo në çështje praktike, siç ka degraduar nën drejtimin e Qeverisë Kurti”, tha Hamiti.
Qeveria e Kosovës, siç shorehet ai, duhet të jetë më proaktive rreth dialogut dhe më transparente me spektrin politik dhe me publikun e gjerë në Kosovë.
“Temat që ka prekur Kurti në paraqitjen e tij kanë peshë. Por më me rëndësi janë çështjet që ka ngritur dhe argumentet që ka pasur në takim me Kancelarin Scholz për të siguruar përkrahjen e Gjermanisë dhe të BE-së për Kosovën. Këto do të shihen nga rezultatet e këtij takimi”, ka thënë Hamiti për RTK-në.























