Sonte fillon Festivali tradicional folklorik " Hasi Jehon"
Kulturë

Sonte fillon Festivali tradicional folklorik " Hasi Jehon"

Shkurta Rrahmani / RTKlive

Edicioni i 33-të i Festivalit tradicional folklorik “Hasi Jehon” fillon sonte në Gjonaj të Hasit. Në këtë edicion do të marrin pjesë 16 grupe artistike nga hapësirat mbarëshqiptare.

Drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtje sa më të suksesshme të edicionit të 33-të të këtij festivali. Ai ndjehet i lumtur që pas periudhës dyvjeçare, si pasojë e pandemisë, " Hasi Jehon" po rikthehet në shtratin e tij në Kodrën e Pajtimit.

Sipas tij, interesimi i grupeve artistike për të marrë pjesë në festival ka qenë tejet i lartë, ndërsa ka thënë se nga ky edicion është vendosur një rregullore re dhe grupeve pjesëmarrëse iu është kërkuar që programin e tyre t'ia përshtatin kritereve të reja të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të festivalit, pasi ky festivai është në proces të pranimit nga Ministria e Kulturës që të jetë si aset në mbrojtje të përhershme.

Ky festival tradicionalisht hapet nga nikoqiri SHKA " Malësori" nga Gjonaj.