Kuvendi:Vazhdon përplasja pozitë-opozitë për Komisionin Hetimor Parlamentar
Muharrem Miftari/RTKLive.com
Në Kuvendin e Kosovës nisi seanca e radhës, ku për shqyrtim ka disa pika të rendit të ditës, mes tjerash, votimi i dy anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo partitë opozitare shprehën kundërshtimin e vazhdimit të seancës, përderisa nuk u mundësohet formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë.
Seaca filloi me një minutë heshtje për nder të Ditës së Dëshmorëve.
Më pas seanca vazhdoi me debatet parlamentare por me theks të veçantë për çështjen e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar.
Kështu, kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, deklaroi kundërshtimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar, e inicuar nga PDK dhe mbështetur nga opozita, duke kërkuar që të bëhet ndryshime në formatin e tillë.
Sipas saj, formimi i dy komisioneve hetimore për të njëjtën çështje ka rrezik që të bëhet lëmsh procesi dhe dalim qesharak.
“Ne ofrojmë gatishmëri maksimale për themelimin e këtij komisioni, por në rrethana të tilla nuk mund të ecet më tutje”, theksoi ajo.
Ndërkaq, deputeti Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar i LDK-së, theksoi se jemi në një situatë delikate, krejt kjo për shkak të sjelljes së pushtetit, që po paaftëson vendimmarrjen në Kuvend, si rezultat i vullnetit të pushtetit për mbikëqyrje shtetërore mbi këtë institucion.
“Kuvendi duhet ta themelojë këtë komision dhe nuk ka nevojë për aktrim, sikurse është situatë normale, në kohën kur rrezikohet demokracia”, deklaroi Gashi.
Kurse Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, deklaroi se mbështetë formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, ndërkohë që bëri të ditur se për çështjet me rëndësi jetike për vendin, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të marrë pjesë në Kuvend, duke nënkuptuar edhe votimin e dy kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, theksoi se kjo seancë është thirrur në mënyrë të rregullt, duke sqaruar procedurat për ngritjen mocioneve në seanca parlamentare, etj.
Më tej ai vlerësoi se, me gjithë bllokimin e palëve në themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, mendoj se seanca mund të vazhdojë, veç nëse ka mungesë të kuorumit.
E kryetari i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi se PDK është kundër vazhdimit të seancës pa themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.
Ai, më tej, përmendi situata të ngjashme në të kaluarën, ku pozita ka mbështetur nismat opozitare për themelimin e komisioneve të tilla çfarë kemi kërkesë të bëjmë këtu e dy muaj më parë.
“Ne nuk kundërshtojmë vazhdimin e seancës, por kërkojmë të realizohet kjo kërkesë që na lejon edhe Kushtetuta e vendit”, deklaroi Tahiri.
Me gjithë kundërshtitë nga partitë opozitare dhe në zhurmë të shkaktuar nga deputetët opozitarë, seanca parlamentare vazhdoi me pyetjet e deputetëve.























