Gjermania sinjalizon përfshirje më të madhe në dialog
BKT
Foto /REL
Lajme

Gjermania sinjalizon përfshirje më të madhe në dialog

Një përfshirje më e madhe e Gjermanisë dhe e Francës, nga radhët e Bashkimit Evropian, do të mund t’i çonte përpara gjërat në dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka mbushur mbi dhjetë vjet.

Të mërkurën e 4 majit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se marrëveshja përfundimtare midis dy vendeve do të duhet të përfshijë njohjen e dyanshme.

Qëndrim zyrtar i Serbisë është se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, ndërsa, sipas Kosovës, dialogu nuk ka kuptim nëse nuk përfundon me njohje reciproke.

Procesi i negociatave mes tyre ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Aktualisht, përfaqësues i BE-së është diplomati sllovak, Mirosllav Lajçak.

Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, thotë se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm me ndërmjetësim të BE-së dhe pa përfshirje më të madhe të Gjermanisë dhe Francës, është e pamundur.

Vetëm këto dy vende, sipas tij, mund t’i shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje që do të përfshinte njohjen.

“... sepse [Gjermania dhe Franca] janë shtetet që mbajnë barrën më të madhe brenda BE-së. Pa to, është vështirë që me disa zyrtarë të shteteve të tjera, si zoti Mirosllav Lajçak, të presim marrëveshje”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Agon Maliqit, analist politik në Prishtinë, deklarata e kancelarit gjerman sinjalizon një përfshirje më të madhe të Gjermanisë në bisedimet Kosovë-Serbi.

Ai thotë se ajo është pozitive dhe se është e fokusuar te kërkesa kryesore e Kosovës, por, shton Maliqi, nuk jep asnjë lloj garancie se procesi po shkon drejt përmbylljes.

“Është herët... Unë besoj se kjo do të matet me vendimet dhe hapat që do t’i marrin palët në takimet e ardhshme në dialog”, shton ai.

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë për Radion Evropa e Lirë se kancelari Scholz, me deklaratën e tij, vetëm se ka konfirmuar qëndrimin e Gjermanisë, si dhe të paraardhëses së tij, Angela Merkel.

“Në një farë mënyre, kjo është vetëm një konfirmim i asaj që tashmë dihet. Nga ana tjetër, është një lloj goditjeje për presidentin Vuçiq”, vlerëson Weber. /REL


MË SHUME NGA Lajme