Kurti takon një delegacion të socialdemokratëve nga Zvicra
BKT
Foto: Zyra e kryeministrit të Kosovës
Lajme

Kurti takon një delegacion të socialdemokratëve nga Zvicra

Emine Hoti / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, priti të enjten një delegacion të Partisë Socialdemokrate (SP) nga Zvicra, që përbëhej nga deputetët nacionalë, Mustafa Atici dhe Fabian Molina, deputeti komunal Reis Luzhnica, anëtarin e Kryesisë së SP-së Arbër Bullakaj, sindikalistët Osman Osmani dhe Florim Kadriu, sekretarja e grupit të migrantëve të SP-së, Lara Can, si dhe Urim Deva, delegat i Grupit të migrantëve.

Me kryeministrin biseduan mbi bashkëpunimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Partisë Socialdemokrate dhe Qeverisë tonë, sidomos në fushat e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.

“Si socialdemokratë në dy vendet tona ne duhet të bashkëpunojmë sa më afër dhe për interesat dhe çështjet tona të përbashkëta, siç janë zhvillimi socio-ekonomik, vlerat socialdemokrate, si dhe shkëmbimi bilateral në fusha të ndryshme”, u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni do të takojë edhe akterë të ndryshëm nga shoqëria civile, ndërmarrësia e TIK-ut, si dhe institucione të tjera të Republikës së Kosovës.

Anëtarët e delegacionit theksuan mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës për ta bërë Kosovën një rrëfim suksesi, si dhe për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme