“DokuFest”-i bëhet festival nominues për Çmimet e Filmit Evropian
Kimete Kasumi/RTKLive
“DokuFest”-i tashmë është kthyer në një platformë të veçantë. Përveç organizimit të festivalit, po vazhdon puna me përkushtim e cilësi në fushën e filmit dhe programeve të edukimit.
Këtë herë “DokuFest”-i është përzgjedhur nga Akademia Evropiane e Filmit si një ndër festivalet e filmit nominues për Çmimet e Filmit Evropian në dy kategori, të filmit të shkurtër dhe të filmit dokumentar. Një arritje e jashtëzakonshme për festivalin si dhe për skenën e filmit të Kosovës.
Po ashtu, “DokuFest”-i këtë vit është një nga 10 festivalet partnere të seksionit Cannes Docs në kuadër të tregut më të madh të filmit në botë gjatë festivalit prestigjioz të Kanës. Ky është viti i parë që do të ketë mundësi të prezantohet dhe të promovohet në këtë program. Cannes Docs ofron një hapësirë dhe program të posaçëm të ngjarjeve për të gjithë profesionistët e filmave dokumentarë – si krijuesit e filmave, po ashtu edhe vendimmarrësit e industrisë.
Kjo është një mundësi tejet e mirë e krijimit të marrëdhënieve me festivale e filmbërës nga gjitha bota dhe zgjerimit të rrjetit të profesionistëve të cilët do të ndihmojnë në zhvillimin dhe fuqizimin e gjeneratave të reja të filmbërësve në vendin tonë.