Personalitetet e vendit përkujtojnë vrasjen e Fehmi Aganit
Muharrem Miftari/RTKLive.com
Sot bëhen 23 vjet qëkur u vra veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Fehmi Agani, i cili ishte nënrkyetar i LDK-së.
Ai u vra më 6 maj të vitit 1999, nga forcat ushtarake serbe.
Si një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit shumëvejçarë të LDK-së, Fehmi Agani, u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake serbe.
Në nderim të veprimtarisë së tij, personalitete dhe bartës të institucioneve politike në vend kanë përkujtuar profesor Aganin.
Kështu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Fehmi Agani i diplomuar në filozofi, i doktoruar në sociologji ishte njeriu i cili pati kurajo që më 30 dhjetor 1991, kur policia serbe për herë të parë sulmoi familjen Jashari në Prekaz, shkoi të ndërmjetësonte me policinë për ta hequr rrethimin.
“Ai ishte njeriu i cili pati kurajo që më 30 dhjetor 1991, kur policia serbe për herë të parë sulmoi familjen Jashari në Prekaz dhe arrestoi edhe Shaban Jasharin, shkoi të ndërmjetësonte me policinë për ta hequr rrethimin. I diplomuar në filozofi, i magjistruar në shkenca politike dhe i doktoruar në sociologji, Profesor Fehmi Agani (1932 – 1999), rezulton të jetë një nga figurat me profilin më shumëdimensional në historinë tonë politike”, shkroi Kurti.
Sipas kreut të Qeverisë, kudo dhe kurdo që veproi, Profesor Agani ruajti autenticitetin e mendimit të tij politik, duke e përshtatur dhe përshfaqur atë në përputhje me rrethanat historike dhe kërkesat e kohës.
“Nënkryetar i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës, Fehmi Agani dinte të bënte një figurë të mirë në publik, prej profesori të ditur, intelektuali humanist dhe prej politikani racional”, tha pos tjerash Kurti.
Edhe, e para e shtetit, Vjosa Osmani Sadriu, vlerësoi profesor Aganin si figurë përbashkuese dhe politikan konsistent me vizion të qartë.
“ Si dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, theksoi, mes tjerash, në përkujtimin e saj për Aganin.
Ndërkaq, në përkujtimin e tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, profesor Aganin e vlerëson si dijetarin e madh shqiptar.
Sipas tij, vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes sonë politike për liri e pavarësi.
"Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës", vlerësoi ai.
Figurën e Aganit e përkujtoi edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se ai ishte një intelektual i rrallë, që kontribuoi shumë në lëvizjen politike për pavarësinë e Kosovës.
“Veprimtaria e profesor Aganit do të mbesë përherë e dalluar në kujtesën kolektive të popullit tone”, theksoi Krasniqi.























