Gjonbalaj: Pa rezultate në dialog nuk ka ecje përpara
Naser Mekolli /RTKlive.com
Paralajmërimet e Kosovës se do të kërkojë përfshirje në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, shihen si dëshmi e përkushtimit të vendit për të ndjekur rrugën e integrimeve euro-atlantike, por diplomatët në Bruksel sot rikujtojnë se realizimi i këtyre aspiratave varet nga vullneti kolektiv i të gjitha vendeve anëtare të Aleancës.
E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi dhe e ardhmja euro-atlentike e Kosovës, ishin sot tema të bisedës, në emisionin “Imazh i Ditës” në RTK, me zyrtarin e NATO-s në diplomacinë publike dhe njohësin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Afrim Gjonbalaj.
“Anëtarësimi në NATO është një proces i veçantë që arrihet, pikë së pari, me reforma politike, ushtarake, demokratike, e të tjera dhe gjithë ky proces merr vite të tëra dhe, më pas, NATO-ja bënë vlerësimet. Ndërsa kur është puna për Partneritet për Paqe, kërkesa për anëtarësim vlerësohet nga çdo shtet aplikant dhe vendimin për anëtarësim e merr Këshilli i NATO-s, pa të cilin vlerësim nuk ka anëtarësim”, tha Gjonbalaj
Ai pohon se për këtë nevojitet pëlqimi i plotë i vendeve anëtare, pa të cilin Kosova nuk mund të bëhet anëtare Partneritetit për Paqe. “Si do të shkojë ky proces më tutje, mbetet për t'u parë”, tha ai.
Kjo, sipas Gjonbalajt, do të varet edhe nga dialogu në mes Kosovës e Serbisë, të cilën e ka kërkuar edhe Aleanca Veriatlantike - NATO.
Gjonbalaj thotë se nuk duhet të spekulohet për anëtarësim, por duhet të priten rezultatet e bisedimeve, pastaj pranimi i shtetit të Kosovës edhe nga ato vende që nuk e kanë njohur atë, në mënyrë që mos të ketë veto dhe, pastaj, ato të jenë kundër.
“Edhe njëherë po them, se anëtarësimet në Partneritetin për Paqe, merren me konsensus nga ana e organit vendimmarrës - Këshillit Veriatlantik”, tha ai.
Ndërsa sa i përket dialogut më 13 maj në Bruksel, thotë Gjonbalaj, nuk duhet të spekulohet se a do të ketë marrëveshje. Ai tha se, dialog ka patur edhe para kryeministrit Albin Kurti dhe do të ketë edhe tani, por ai nuk dëshiron të spekulojë lidhur me rezultatin dhe pozicionet e palëve në dialog.
“Spekulime rreth rezultatit të dialogut Kosovë –Serbi ka shumë, por unë nuk do të spekuloja për këtë”, tha ai.
Angazhimi i diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane një shtytje e re për dialog
NATO, thotë ai, ka një qëllim të qartë, ajo dëshiron që marrëveshjet e arritura të përmbushen, si nga Prishtina, ashtu edhe ato nga Beogradi, por, se cilat do të jenë rezultatet e kësaj marrëveshjeje, kjo varet nga palët pjesëmarrëse në dialog.
“NATO ka qenë ajo që gjithherë i ka inkurajuar palët që të gjejnë zgjidhje gjithëpërfshirëse, të cilat do të shkonin në favor të dyja palëve, në mënyrë që edhe Kosovës t'i hapen dyert e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, të cilat për momentin kanë ngecur, si në liberalizimin e vizave, anëtarësimi në mekanizmat financiarë të BE-së, të cilat janë kyçe për zhvillimin e Kosovës e deri te ajo e anëtarësimit në Partneritetin për Paqe ”, tha Gjonbalaj.
Sa i përket dialogut Kosovë –Serbi, Gjonbalaj tha se angazhimi i diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, kohët e fundit i kanë dhënë një shtytje të re, që, ndoshta, dialogu të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe të shkohet përpara.
“Pa rezultate konkrete nuk priten lëvizje nga dy institucionet në Bruksel, siç janë BE-ja e NATO. Kurse sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës ky është një proces tjetër, mendoj se ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën".























