Maturantëve të Podujevës nuk u lejohet organizimi i ekskursioneve (Video)
BKT
Lajme

Maturantëve të Podujevës nuk u lejohet organizimi i ekskursioneve (Video)

Përveç testeve, maturantët në Kosovë po kërkojnë të shkojnë edhe në ekskursione me rastin e përfundimit të maturës.

Por Komuna e Podujevës e ka ndaluar një gjë të tillë me arsyetim se vendimin e kanë marr në bashkëpunim edhe me prindërit. Këtë vendim e sfiduan sot disa maturantë të cilët protestuan në këtë komunë.

Megjithatë, nga Ministria e Arsimit thonë se nuk janë të ndaluara ekskursionet.

Dy maturantë janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Podujevë për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

Nxënësit e tri shkollave të mesme në këtë komunë kanë protestuar duke kërkuar që të lejohen të shkojnë për ekskursion në Shqipëri. Për arrestimin e më pas lirimin e tyre e konfirmoi edhe vetë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu.

Ai tha se vendimi për moslejimin e ekskursioneve nuk është vetëm vendim i tyre por edhe i prindërve.

"Vendimi jonë është vendimi i prindërve, që kanë mbajt këshilla të prindërve me kujdestari të klasave dhe në bazë të proces verbaleve kemi 90 për qind të prindërve për mos me u mbajt ky ekskursion sidomos në procedurë të shpejt por edhe me shpenzime enorme që mund të jenë në këtë periudhë kohore", ka thënë Fetahu.

Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se në Kosovë nuk ka ndalesa për organizimin e ekskursioneve.

“Prej vendimit të qeverisë i cili është marrë në mars, ekskursionet lejohen, të ato masat e COVID-it, është heq ndalesa për ekskursione dasma, fejesa, evente të tjera, ajo ndalesë është hequr, kjo është konfirmuar edhe me vendimin e fundit të qeverisë të datës 30 prill, edhe aty shkruan që ekskursionet lejohen, është çështje e shkollës nëse do t’i organizojë dhe ku do t’i organizojë,
ndalesë për ekskursione në Kosovë nuk ka”, ka thënë Pupovci.

Prapa kamerave, maturantët shprehën zhgënjimin e tyre për një vendim të tillë të marrë nga Komuna e Podujevës.

 


MË SHUME NGA Lajme