Salla Kirurgjike jashtë funksionit (Video)
Elmina Osmani/RTK
Rreth 200 mijë euro janë shpenzuar për renovimin e një salle operacioni në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, megjithatë, kjo sallë ende mbetet jashtë funksionit.
Në mungesë të kësaj salle operacionet plastike kryhen në klinika tjera të QKUK-së.
Inspektorët sanitarë të AUV-it kanë vlerësuar se tavanet e ulëta dhe lagështia janë disa nga problemet shkak i të cilave salla operative në Plastike nuk mund të garantojë mbarëvajtje të punës.
“Dimensionet dhe lartësia e tavanit nuk është sipas rregullave të kërkuara, poashtu është vërejtur se nga ky tavan lëshohet edhe pluhur dhe materie të cilat nuk duhet të jenë aty. Në aspektin higjienik nyjet sanitare, tualetet që shfrytëzohen nga salla kundërmojnë dhe nuk i përgjigjen kushteve që kërkohen sipas ligjit dhe poashtu në disa hapësira ka edhe lagështi dhe ka rrjedhje nga ana e gypit të kanalizimit”, ka thënë Lamir Thaçi.
Radio Televizioni i Kosovës, ka kërkuar leje për të parë nga afër sallën e operacioneve në Klinikën e Kirurgjisë Plastike si dhe për të biseduar me drejtues të klinikës mirëpo një gjë e tillë nuk është lejuar nga drejtoria e SHSKUK-së.
Ata kanë thënë për Televizionin se presim një përgjigjeje me shkrim dhe se ende nuk kanë pranuar raport zyrtar nga Inspektorati Sanitar.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ende nuk ka pranuar raport zyrtar nga Inspektorati Sanitar, lidhur me inspektimet e kryera në sallën e Klinikës së Kirurgjisë Plastike. Jemi në pritje të raportit zyrtar lidhur me këtë çështje dhe do të veprohet konform raportit dhe rekomandimeve që do të marrim nga raporti”, u tha ne nga SHSKUK.
Sipas burimeve jo zyrtare të RTK-së, kirurgët plastikë pritet t’i shfrytëzojnë sallat operative të Kirurgjisë së Fëmijëve, pasi kjo klinikë ka kaluar në objektin e ri të Pediatrisë Kirurgjike.
Pas vlerësimeve dhe rekomandimeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet të shihet nëse organet e hetuesisë do të merren me zbardhjen e 200 mijë eurove të cilat u shpenzuan në
emër të rinovimit të sallës operative në Kirurgjinë Plastike të SHSKUK-së.























