Duan vendndalim për autobusë (Video)
Ahmet Maholli/RTK
Banorët e dy lagjeve, Cakaj dhe Bytyqi të fshatit Mirosalë të Ferizajt, ankohen se komuna ua ka ndërprerë autobusin e linjës Ferizaj-Mirosalë dhe anasjelltas.
Ata thonë se për të pritur autobusin në stacionin më të afërt, duhet të udhëtojnë më shumë se një kilometër, gjë që për ta është e
pamundur.
Banorët kërkojnë që të rikthehet stacioni i pritjes së autobusit edhe në këto dy lagje.
“Unë dal çdo ditë me pritë autobusin, por nuk vjen, kur e kanë ndreq rrugën, ka ardhur veç një javë edhe u ndalë. Kjo për neve është një mundim, sepse duhet shkuar larg për ta pritur autobusin”, thotë Ensar Berisha banor i lagjes Cakaj.
“Telashe kemi sepse më së paku 1km duhet me ecur për me dal deri te qendra, te shkolla, qendra e fshatit, ka 130 shtëpi, e duhet patjetër me ardhur një autobus”, thotë Basri Bytyqi, banor i lagjes Bytyqi.
Këtë linjë të autobusit këta banorë e kanë të domosdoshme.
Në stacionin e autobusëve në lagjen Cakaj në Mirosalë, banorët nuk presin më, për shkak se autobusi i linjës Ferizaj-Mirosalë dhe anasjelltas ka ndërprerë operimin.
Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Ferizaj thonë se linja ekziston, porse stacioni është në qendër të fshatit.
“Linjat për fshatin Mirosale nuk janë ndërpre, janë nëntë nisje që ndodhin nga Ferizaj deri në Mirosale, është fjala për në qendër të fshatit dhe në të njëjtën kohë nga Mirosala, kthehet në Ferizaj.
Për lagjet për të cilat banorët vazhdimisht kanë bërë kërkesë, nuk ka pas në të kaluarën, as për lagjen Cakaj e as për atë Bytyqi, sepse kur është bërë shpallja publike dhe kur janë fituar këto nisje, linja, janë përcaktuar edhe lokacionet se ku ka me shkuar, dhe vendndaljet e autobusëve, janë disa rregulla të trafikut rrugor në këtë rast”, ka thënë Arben Halili, drejtor i Shërbimeve Publike në komunën e Ferizajt.
Por, pavarësisht këtij vendimi të Komunës, banorët vazhdojnë me kërkesën e njëjtë, atë të rikthimit të stacionit nëpër lagjet e tyre.
Komunarët kanë deklaruar se stacioni është në qendër të fshatit, por qytetarët insistojnë për dy të tjerë.























