`Fluturojnë` çmimet e biletave të finales së Ligës së Konferencës në Tiranë
Interesimi për ndeshjen finale të Ligës së Konferencës, Roma – Feyenord, e cila do të zhvillohet në “Air Albania” është jashtëzakonisht i lartë nga tifozëritë e të dyja klubeve.
Ato do t’i kenë në dispozicion nga 4000 bileta secila për këtë finale, por vlerësohet se mbi 20 mijë italianë janë të gatshëm të zbarkojnë në kryeqytetin shqiptar.
Klubi i Romës ka dhuruar bileta për 166 tifozët që asistuan në Norvegji për humbjen 6-1 ndaj Bodo/Glimt, ndërsa të tjerat i ka shitur me short për tifozët që kanë pasur një kartë abonimi për sezonin aktual.
Megjithatë jo të gjithë ata që kanë siguruar një biletë, kanë ndërmend të vijnë në Tiranë, pasi disa prej tyre i kanë nxjerrë në shitje në “ebay” për çmime që shkojnë nga 800 deri në 10 mijë euro.
Shifra këto të jashtëzakonshme, aq sa ka nisur edhe një protestë e tifozëve të Romës në rrjetet sociale, të cilët janë ankuar për mënyrën e përzgjedhjes së fansave që u pajisen me një biletë.
Ndërkohë UEFA pritet të hapë nesër shitjen e lirë për rreth 10 mijë bileta, të cilat mund të blihen vetëm në sajtin zyrtar të qeverisë evropiane të futbollit dhe kryesisht për ata që kanë bërë një regjistrim paraprak.
























