Premiera e shfaqjes "Burrnesha" nesër para publikut në Prishtinë
Foto: Qendra Multimedia
Kulturë

Premiera e shfaqjes "Burrnesha" nesër para publikut në Prishtinë

Shqipe Gashi/RTKlive

Qendra Multimedia sjell në Teatrin Oda në Prishtinë, premierën e re të shfaqjes “Burrnesha” më 10 maj në ora 20:00, regjinë e së cilës e ka bërë Erson Zymberi. E shkruar nga Jeton Neziraj, në shfaqje luajnë aktorët: Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi.

Regjisori i shfaqjes Erson Zymberaj u shpreh i kënaqur me punën që është bërë, si nga ana e tij, si nga ana e aktorëve, po ashtu edhe e autorit të shfaqjes Jeton Nezirajt. Ndër të tjera Zymberi shtoi se së bashku me ekipin artistik të shfaqjes "besoj që kemi arritur të risjellim një rrëfim interesant rreth fenomenit 'Burrnesha'".

“Shfaqja synon që përmes formatit e konceptit regjisorial, gjithsesi bashkë me dramën / tekstin dhe lojën e aktorëve, të shtrojë pyetje e nxisë debat rreth çështjeve gjinore.Mënyra e shkrimit të dramës që nga rrëfimi a tregimi i saj, bashkë me udhëtimin e transformimin fizik e psikologjik të 'Burrneshës', ka qenë impresive për mua si regjisor, dhe ka qenë pikënisje për ndërtimin e saj në një shfaqje teatrale. Mandej, bashkë me ekipin artistik të shfaqjes besoj që kemi arritur të risjellim një rrëfim interesant rreth këtij fenomeni. Besoj që shfaqja do të zgjojë një interesim në shoqërinë tonë, por gjithashtu do të jetë interesante për prezantim edhe jashtë vendit. Unë uroj që të ketë jetë sa më të gjatë e të prezantohet edhe në festivale ndërkombëtare të teatrit”, ka thënë Erson Zymberaj, regjisori i shfaqjes për Rtklive.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 10 maj, nga ora 20:00, ndërsa reprizat janë paraparë për datat 11 dhe 12 maj, në teatrin Oda në Prishtinë.

Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Bekim Korça, muzikën Trimor Dhomi, koreografinë Gjergj Prevazi, kostumet Yllka Brada, menaxhere e produksionit është Aurela Kadriu, dritat i ka realizuar Mursel Bekteshi, mbështetja teknike vjen nga Pajtim Krasniqi e Bujar Bekteshi, video nga Ilir Gjocaj, kurse asistente kostumografe është Flaka Rrustemi.