Konjufca falënderon Komisionin e Venecias për ndihmën që i ka dhënë Kosovës
Naser Mekolli /RTKlive.com
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësues nga Komisioni i Venecias në përbërje Dan Meridor, James Hamilton dhe Michael Janssen, si dhe zëvendës shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankut Soykan.
“Kryetari Konjufca i informoi të pranishmit në lidhje me agjendën e legjislativit dhe objektivat që pritet të realizohen gjatë këtij mandati, duke pasur si prioritet për nga rëndësia edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”, njofton zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.
Konjufca ka theksuar se Kuvendi, si organi më i lartë legjislativ i vendit, ka rol shumë të rëndësishëm në miratimin e kornizës ligjore dhe kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi.
“Kreu i Kuvendit falënderoi Komisionin e Venecias për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës dhe vlerësoi rolin e këtij Komisioni në ofrimin e opinioneve dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet ligjore që trajtohen në institucionet e vendit tonë”, ka thënë Konjufca.
























