Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat shtesë në Speciale
BKT
Lajme

Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat shtesë në Speciale

Blerim Halimi / RTKlive

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm në konferencën e radhës dëgjimore në Gjykatën Speciale, lidhur me aktakuzat shtesë të prokurorisë, të publikuara më 29 prill.

Kjo seancë është përcjellë me probleme të shumta teknike, të cilat për disa minuta ia kanë pamundësuar gjykatës t'i dëgjojë përgjigjet e Thaçit.

“Zotëri gjyqtar e theksoj edhe një herë se amendamentet tuaja janë shumë të redaktuara dhe ende nuk kam arritur t’i lexoj dhe t'i kuptoj, por deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi. 

Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou u shpreh se kjo seancë mbahet me qëllim që të akuzuarit t’i lexohen akuzat në gjuhën që flet, të konfirmohet se e kupton aktakuzën dhe të bindet se të drejtat e të akuzuarit respektohen. Mirëpo, me propozim të mbrojtjes dhe me aprovim të Thaçit, është thënë se nuk është e nevojshme të lexohen akuzat e reja, gjë të cilën gjykatësi e ka aprovuar.

Avokati Gregory Kehoe tha se akuzat e reja janë shumë të redaktuara dhe kjo ka bërë që klienti i tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi ta kuptojnë se çfarë paraqet Prokurori i Specializuar.

“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga z. Thaçi se për çfarë bëhet fjalë. Ne i kemi diskutuar këto çështje me të dhe kemi thënë që të vetdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.

Gjyqtari më pas e tha edhe për publikun se ka vërtetë redaktime në aktakuzë dhe se ato janë miratuar nga gjykata.

Akuzat e reja ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.

Gjatë ditës së sotme në konferencën dëgjimore do të paraqiten në orare të ndryshme edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Veseli do të paraqitet në orën 11:15, Krasniqi në orën 14:00 dhe Selimi në orën 15:15.


MË SHUME NGA Lajme