Edhe Kadri Veseli deklarohet i pafajshëm për akuzat e reja
BKT
Lajme

Edhe Kadri Veseli deklarohet i pafajshëm për akuzat e reja

Blerim Halimi / RTKlive

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është deklaruar i pafajshëm në aktakuzat e reja që janë paraqitur ndaj tij në Dhomat e Specializuara në Hagë lidhur me pretendimet e prokurorisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Paraprakisht Veselit iu kanë lexuar aktakuzat e reja nga sekretarja e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara kundër luftës dhe kundër njerëzimit në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës në periudhat midis 4 korrik 1998 dhe shtatorit të vitit 1998 dhe më 28-29 prill 1999, dhe në Gjilan në korrik të vitit 1999.

Më pas gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti Veselin nëse i ka kuptuar akuzat e reja, për të cilat ai tha se i ka lexuar dhe se ka dëshirë që procesi të fillojë sa më shpejt.

“Faleminderit zotëri gjykatës, i kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën ta shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, ka thënë Veseli.

Gjyqtari Guillou theksoi se Veseli ka kohë 30 ditë për t'u deklaruar lidhur me këto aktakuza dhe më pas e pyeti nëse dëshiron ta bëjë këtë gjatë kësaj seance, gjë të cilën ai e bëri.

"Deklarohem i pafajshëm", ka thënë Veseli.

Më pas gjyqtari ia përsëriti atij të drejtat që ia garanton ligji në këtë proces gjyqësor.

Gjatë ditës së sotme në konferencën dëgjimore do të paraqiten në orare të ndryshme edhe Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. 


MË SHUME NGA Lajme