Feyenoord si finalist në Conference e flet rritjen e futbollit kosovar
BKT
Sport

Feyenoord si finalist në Conference e flet rritjen e futbollit kosovar

Uran Krasniqi/RTKLive

Feyenoord do të luajë kundër Romës në finale të Conference League më 25 maj, por në rrugën e vet e kishte hasur një pengesë të vështirë. Ishte pikërisht Drita e Gjilanit, që klubin me nam holandez e kishte vënë në vështirësi serioze. Ndeshja e parë në Prishtinë ishte mbyllur me rezultat 0-0, ndërsa ndeshjen e dytë në Rotterdam holandezët e kishin fituar me shumë mund 3-2.

Paraqitja e mirë e Dritës ndaj Feyenoord në Conference League që në fund arriti në finale garës a flet se futbolli kosovar është rritur? 

Trajnerë dhe ish-futbollistë konsiderojnë që po. 

Ajet Shosholli, trajneri i dikurmë i Prishtinës, mendon se oaraqitjet e klubeve kosovare në Evropë janë barometër.  

"Po e kam theksuar sa herë që njëlloj barometri i cilësisë së futbollit kosovar është paraqitja jonë apo sukseset e ekipve tona në garat ndërkombëtare. Vitin e kaluar Drita dhe Prishtina kishin parqitje mjaft të mira, gjë që ndikoj edhe në koeficientin dhe renditjen e mirë në Ranglistën e UEFA-s të ekipeve tona dhe pjesëmarrjen me katër ekipe në garat ndërkombëtare", ka thënë ai për RTKLive.

Afrim Tovërlani, trajner i njohur në futbollin kosovar, thotë se ka ngritje të lehtë të futbollit në vendin tonë. "Mendoj që është rritur e sidomos vitin e kaluar kur të dy skuadrat kosovare, Prishtina e Drita patën paraqitje të mira. Serioziteti ishte shumë më i madh dhe futbollistët në ndeshje të tilla mundohen të tregohen për t'u shitur në ekipe evropiane. Por pastaj në ligën tonë nuk patën paraqitjet e dëshiruara e sidomos Prishtina. Konkludimi im është që kemi një ngritje të lehtë në futbollin tonë", ka theksuar ai.

Xhevdet Llumnica është një ish-futbollist, i cili edhe vetë ka luajtur për Dritën në vitet e pasluftës. Ai e vlerëson paraqitjen e ish-klubit të tij ndaj holandezëve finalistë, por insiston se nuk duhet gjykuar vetëm me dy ndeshje.  
"Drita kishte një paraqitje shumë të mirë kundër Feyenoord qe na ka befasur të gjithëve besoj. Sigurisht se futbolli kosovar ka rritje, por ama është pak e vështirë e ndoshta edhe e ngutshme të vlerësojmë me një apo dy ndeshje furbollin kosovar. Klubet e Kosovës duhet të kenë një kontuinitet në Evropë që të themi se vërtetë kemi bërë hapa përpara", ka thënë ai.