Memli Krasniqi falënderon Ramën për vizitën tek ish-presidenti Thaçi
Kimete Kasumi/ RTKLive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës.
Sipas Krasniqit, Rama me vizitën e tij sot në Hagë, te ish-presidenti Hashim Thaçi, u kujdes për Kosovën dhe rikujtoi se vlerat solidare janë të përtejkufijshme siç ishin në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për liri.
“Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar - luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë. Duke i kujtuar fjalët e presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.























