Ukraina në fanellë e njeh Kosovën të barabartë me shtetet e tjera
Uran Krasniqi/RTKLive
Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës, por kjo nuk e ka penguar që ta vendosë flamurin kosovar në fanellën e krijuar për ndeshjet përgatitore para dy ndeshjeve kualifikuese të vlefshme për Kupën e Botës në Katar.
Presidenti i Federatës ukrainase, Andrii Pavleko, ka thënë se kanë pëlqyer propozimin e presidentit Volodymyr Zelenskyy.
"Ky është nderi dhe mirënjohja jonë për partnerët e huaj për ndihmën e tyre", ka thënë ai. "Kombëtarja do të luajë në këtë formë unike vetëm në ndeshjet në përgatitje për play-off të Botërorit 2022".
Kosova ka shprehur vazhdimisht përkrahje për Ukrainën pas fillimit të agresionit rus mbi atë vend.
Për kualifikimet e Botërorit të vitit 2018 Kosova kishte qenë në të njëjtin grup me Ukrainën. Ukraina në ndeshjen e parë nuk kishte pranuar që ndeshja të zhvillohej në territorin e saj, duke bërë që sfida të luhej në Poloni. Ndeshja e dytë ishte organizuar në Shkodër.























