Presidentja Osmani në Washington, flet për bashkëpunimin translantik
BKT
Foto: Presidenca e Kosovës
Lajme

Presidentja Osmani në Washington, flet për bashkëpunimin translantik

Jeton Musliu / RTKlive

Në kuadër të Takimit të liderëve të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, i cili po mbahet në Washington D.C., Presidentja Osmani ishte folëse kryesore në tryezën me temë: "Bashkëpunimi Transatlantik për Sigurinë Energjetike."

Siç njofton Presidenca, lufta në Ukrainë e ka ekspozuar rrezikun e varshmërisë së madhe të Evropës nga Rusia për sa i përket sigurimit të furnizimit me energji.

 Distancimi nga gazi, qymyri e nafta ruse është bërë pjesë e pakos së sanksioneve të shumë vendeve evropiane ndaj Rusisë. 

Përballë këtyre zhvillimeve, Presidentja Osmani theksoi se sfidë madhore mbetet gjetja e ekuilibrit të duhur midis përgjigjeve afatshkurtra ndaj krizës aktuale energjetike pa kompromentuar qëllimet dhe ambiciet e tranzicionit të energjisë dhe veprimit klimatik, përderisa sigurohemi që tranzicioni të jetë i drejtë dhe i barabartë.

"Përderisa sistemet dhe dizajnimi i politikave energjetike mund të jenë të ndryshme në të dy anët e Atlantikut, qëllimet tona janë të përbashkëta: sigurimi i furnizimit të rregullt me çmime të arsyeshme dhe të përballueshme nëpërmjet promovimit të politikave të qëndrueshme, mbështetjes së inovacionit dhe arritjes së objektivave në luftimin e ndryshimeve klimatike", tha Osmani, duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në ballafaqim me krizën energjetike.

Teksa foli për mundësinë e ballafaqimit me mungesë të furnizimit të rregullt, sfida ekonomike, tronditje të tregjeve energjetike, dhe rritje të çmimeve të energjisë, Presidentja Osmani theksoi se përballë tiranisë, asnjë çmim nuk është shumë i lartë për t'u paguar për të mbrojtur demokracitë dhe për të mbrojtur lirinë.


MË SHUME NGA Lajme