Evrovizioni nis sonte, Ronela Hajati këndon e para
Foto: RTK
Kulturë

Evrovizioni nis sonte, Ronela Hajati këndon e para

Kimete Kasumi/ RTKlive

Pak minuta na ndajnë nga fillimi i “Eurovision Song Contest 2022”, festival ky i cili do të mbahet në Torino të Italisë. Festivali nis sonte dhe organizohet deri me datë 14 maj. Në këtë edicion Shqipëria e hap festivalin me përfaqësim nga këngëtarja e mirënjohur Ronela Hajati, me këngën “Sekret”.

Si në vitet e kaluara, edhe këtë herë festivalin do të keni mundësi ta ndiqni në Radio Televizionin e Kosovës.

Këngëtarja Ronela Hajati dhe  kënga e saj “Sekret” po mirëpriten mjaft mirë nga publiku shqiptar në mbarë botën dhe nga njohësit e muzikës.

Këngëtarja do të shoqërohet nga një trupë balerinësh dhe Kladia Pepa me performancë.

Ronela Hajati me këngën “Sekret” në dhjetor të vitit 2021 u shpall fituese e edicionit të 60 të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Në mesin e 17 këngëtareve që do të përformojnë sonte, Ronela Hajati nis e para me këngën “Sekret”, pastaj Citi Zeni: Eat Your Salad (Letonia), Monika Liu: Sentimental (Lituania), Marius Bear: Boys do Cry (Zvicra), LPS (Last Pizza Slice): Disko (Sllovenia), Kalush Orestra: Stefania (Ukraina), Intelligente Music Project: Intention (Bullgaria), S10: De Diepte (Paesi Bassi) Zdob şi Zdub & Fraţii Advahov: Trenuleţul (Moldavia), MARO: Saudade saudade (Portugalia), Mia Dimšić: Guilty Pleasure (Croazia), Reddi: The Show (Danimarca), LUM!X & Pia Maria: Halo (Austria), Systur (Sigga, Beta and Elín): Með Hækkandi Sól (Islanda), Amanda Georgiadi Tenfjord: Die Together (Greqia), Subwoolfer: Give That Wolf a Banana (Norvegjia), Rosa Linn: Snap (Armenia).

Festivali Evropian i Këngës do të prezantohet nga Laura Pausini, Alessandro Cattelan e Mika.

Në këtë edicion marrin pjesë 40 shtete të Evropës.

Vitin e kaluar grupi muzikor italian “Maneskin” fitoi Eurovision Song Contest 2021 me këngën “Zitti e Buoni”, me 524 vota.