Klopp krenar me skuadrën e tij pas fitores ndaj Aston Villës
B.H. / RTKlive
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp është shprehur i lumtur që skuadra e tij reagoi pozitivisht pas barazimit në shtëpi kundër Tottenhamit, duke fituar me përmbysje të rezultatit të martën në mbrëmje kundër Aston Villës si mysafir.
Trajneri gjerman vlerësoi skuadrën e drejtuar nga Steven Gerrard, derisa komplimentoi edhe djemtë e tij për fitoren e 26-të në këtë edicion në Premier League. Kjo fitore ia mundësoi Liverpoolit të barazojë kuotën e pikëve me Manchester Cityn në krye të renditjes, por skuadra e Guardiolës ka një ndeshje më pak.
“Fitorja nuk ishte e lehtë. Aston Villa është një ekip me kualitet të lartë. Ata na vendosen nën presion me të gjitha gjërat që bënë në fushë. Nëse duhet të fitosh një ndeshje në udhëtim, atëherë duhet të krijosh sa më shumë hapësira dhe ne arritëm ta bëjmë këtë. Ata luajtën mirë dhe e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer. Na u desh pak kohë të futeshim në ritmin tonë. Fituam dhe nuk mund të jem më krenar se sa kaq. Zhvilluam një ndeshje të madhe në mes të majit”, ka thënë Klopp.























