Teuta Hadri në Speciale, falënderon publikisht Salih Mustafën (E plotësuar)
BKT
Foto: Seanca e Speciales
Lajme

Teuta Hadri në Speciale, falënderon publikisht Salih Mustafën (E plotësuar)

Valbona Thaçi/RTKLive

(E plotësuar), Dëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës, që po mbahet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vazhduar të tregojë se në fshatin Zllash të Prishtinës, ka shkuar më 16 prill të vitit 1999 dhe ka qëndruar tre ditë ku ka dhënë ndihmë mjekësore për të plagosurit.

Mjekja Teuta Hadri tha para  trupit gjykues se në ditën e tretë, i kanë nxjerrë të plagosurit dhe civilët nga ajo zonë për shkak të fillimit të ofensivës, ku sipas saj, edhe e ka takuar Salih Mustafën të cilin në atë periudhë,  e ka njohur vetëm si komandant Cali.  Hadri ka thënë se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar dhe as roje përreth shtëpive ku kanë qëndruar.

Dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtjes, Betim Shala, se gjatë kohës sa ka qenë në Zllash, nëse ka  parë që është ndaluar ndonjë ushtarë apo ndonjë civil.

”Nuk është ndaluar dhe nuk kam parë që kanë ndaluar. Aty  kanë hy civilë nga fshati me uniformë, njerëz të tjerë edhe pa uniformë dhe ajo zonë ku ne kemi qenë, ishte  që më shumë kanë hyrë  civilët. Aty ka pasur gra dhe fëmijë”, tha Hadri.

Dëshmitarja deklaroi foli edhe për kohën e ofensivës ku e kishte takuar për herë të parë, tashmë të akuzuarin Salih Mustafa.

 “Për herë të parë e kam parë një natë para ofensivës. Si Cali e kam kuptuar ditën e ofensivës, e një natë përpara, vetëm si ushtar i UÇK-së i veshur si gjithë ushtarët e tjerë që merrnin pjesë aty në oborrin e shtëpisë, ku kanë ecur i kemi përshëndetë si ushtarakë”, tha dëshmitarja Hadri.

“Ndërsa ditën e 18, ditën e ofensivës e kam kuptuar vetëm me nofkën e tij Cali pasi i kam pyetur ushtarët.  Cali ishte një komandat pedant i shkathët, ai djalë kishte lënë lirinë e vet, në vend se me ikë në Gjermani, ai vinte aty, t’i mbrojë qytetarët, ushtrinë, me furnizime me ushqim, me barna, e krejt ato kanë qenë organizim i ushtarëve të UÇK-së”.

Hadri tha se më 18 prill, ka pyetur kur është bërë ofensiva e madhe, se kush është ky djalë. “Aty e kam kuptuar se është Cali”.

Sipas saj, në atë periudhë e kishte njohur atë vetëm me emrin Cali ndërsa kur është ngritur aktakuza ndaj tij,  e ka kuptuar se emri i tij është Salih Mustafa.

“E falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së. Falë  tyre edhe unë sot jam e gjallë. Në organizmin që e kanë bërë për të na mbrojtur neve, personelin e shëndetësor, të plagosurit dhe civilët, për ndihmën që e kanë dhënë”.

Teuta Hadri është dëshmitarja e katërmbëdhjetë e cila dëshminë do ta vazhdojë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë.

Ora 14:45

Hadri: Desha si mjeke  të jap ndihmën time në luftë (Video)

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Hadri është dëshmitarja e radhës e thirrur nga mbrojtja e të akuzuarit Salih Mustafa, e cila dha dëshminë e saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Hadri u përgjigj në pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës, Betim Shala, rreth ngjarjeve të muajit mars dhe prill të vitit 1999, konkretisht për ngjarjet e kësaj kohe në fshatin Zllash të Prishtinës .

“Më 1 prill 1999,  forcat serbe më kanë nxjerrë sikur gjithë popullatën tonë me dhunë nga shtëpia ime. Ashtu sikur të gjithë banorët e banesave, kemi dalë me dhunë. Ata  kishin bërë krime të mëdha nëpër tërë Kosovën që nga viti 1998”, tha Hadri në dëshminë e saj.

“Unë këtu nuk do t’i përshkruaj ato krime që i kam parë dhe jam dëshmitare e gjallë e atyre ngjarjeve që i kam përjetuar vet. Nuk jam dëshmitare që flas me anë të mediave, por jam dëshmitare e gjallë që i kam përjetuar me syrin tim dhe me trurin tim”, tha mjekja Hadri, raporton RTKlive.

 “Nuk kam dashur të shkoj në Shqipëri me kolonë të të shpërngulurve me dhunë, me të gjithë banorët që i çonin me dhunë drejt Shqipërisë. Unë kam dashur të dalë në luftë të ndihmoj pasi isha mjeke me profesion. Isha humaniste  dhe kisha nevojë shumë t’u ndihmoj atyre njerëzve”, tha ndër të tjera Hadri në dëshminë e saj.

Në pyetjen e avokatit Shala, se  ku ka shkuar pasi kishte  dalë nga shtëpia, Hadri tregon se ka ikur nga kolona ku forcat serbe me dhunë i shtynin njerëzit të shkojnë drejt Shqipërisë.

Ajo tha se ka ikur nga forcat serbe sepse kishte dëshirë t’i bashkëngjitej luftës dhe t’u ndihmonte ushtarëve, ku së pari, kishte shkuar në shtëpinë e profesorit Sami Peja, për tu strehuar.

Tutje Hadri e vazhdoi dëshminë duke treguar se si ka shkuar deri ne fshatin Zllashë dhe se me çfarë aktivitetesh është marrë atje në kohen për të cilën edhe është thirrur të dëshmojë në Dhomat e Specializuara të Hagës, raporton RTKlive.

Mjekja Teuta Hadri është dëshmitarja e 14 e mbrojtjes. Gjatë pyetjeve të parashtruara në vazhdimësi, ajo tregoi se gjatë asaj kohe sa ka ndihmuar në Zllashë, nuk ka pasur mjete e as medikamente të nevojshme, por kishte vetëm pak pajisje personale që i kishte marrë më vete kur kishte dalë nga shtëpia.

Sipas saj, ato  ishin vetëm për shërbime të vogla dhe se punonte me një motër medicinale e cila quhej Bahrie Veliu.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Seanca e fundit në këtë rast është mbajtur me 22 prill, ku është dëgjuar dëshmitari i trembëdhjetë, Muhamet Ajeti.

 

 


MË SHUME NGA Lajme