Jeta e “Burrneshës” në dërrasa teatri
Foto / RTK
Kulturë

Jeta e “Burrneshës” në dërrasa teatri

Shqipe Gashi/RTKlive

Mbrëmë është dhënë premiera e shfaqjes “Burrnesha” në një dimension rrallë herë të parë në teatrot tona. Premiera e shfaqjes “Burrnesha” me tekst të Jeton Nezirajt dhe me regji të Erson Zymberit, erdhi mbrëmë fuqishëm në skenën e Teatrit `Oda`.

Skena ishte më ndryshe nga ajo që zakonisht publiku është mësuar të shohë. Publiku pati  rastin të shihte shfaqjen nga të dyja anët e sallës, pasi që shfaqja ishte punuar mjaft bukur në formatin kamertal.

Në skenë u shfaqen aktorët:  Tringa Hasani, Semira Latifi, dhe Kushtrim Qerimi, të cilët me lojën e tyre të mrekullueshme, portretizuan realitetin e vërtetë të fenomenit të burrneshave, gra shqiptare të cilat për të mbrojtur nderin e familjes,detyrohen të jetojnë si burra, duke hequr dorë përgjithmonë nga jeta e të qenit grua.

Aktorja Tringa Hasani “Burrnesha” ishte personazhi kryesor Sose, e cila vinte nga veriu i Shqipërisë, njëra nga pak burrneshat e mbetura që ndryshe quhen ‘virgjëreshat e Shqipërisë’.

Sose takon antropologen angleze, Edith (Semira Latifi) me të cilën udhëtojnë për në Londër për t'iu shpalosur studentëve në një universitet perëndimor, dukurinë e burrneshës dhe procesin e shndërrimit të saj.

Mirëpo atje gjërat nuk shkuan edhe aq mirë për fatin e keq të Soses. Papritmas ajo e gjen veten brenda një përformancë queer që po përgatitet nga Julian që është një drag-queen e njohur e Londrës dhe ajo nëpërmjet historisë të Soses, bën çmos që të sjellë diçka të paparë më herët në Teatrin Soho të Londrës, te udhëhequr nga ‘Julian’ që vjen nën interpretimin e aktorit Kushtrim Qerimi, i cili angazhohet dhe bën gjithë atë sakrificë në mënyrë që ta ruajë vendin e tij të punës.

Ndërsa aktorja Semira Latifi, që në shfaqje e luajti rolin e Edith antropologes angleze thotë se ndihet  krenare për punën e saj  në këtë projekt.

“Të gjithë që ishim pjesë e ekipit kemi punuar me shumë përkushtim që interpretimi të bëhet sa më real. Komplimentet e shikuesve për përformancën e suksesshme nga ana e aktorëve më bëjnë të ndihem krenare për punën time dhe satisfaksionin e tyre”, ka thënë Latifi për RTK.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe realizmit të saj, foli edhe regjisori Erson Zymberi për RTK.

“Premierat zakonisht janë të mbushura me emocione e ndjenja të përziera, por mbrëmë, menjëherë pas shfaqjes, mendoj që të gjitha ato u shpërblyen me duartrokitjet e gjata e frenetike të publikut që kishte mbushur sallën e Teatrit Oda. Jam shumë i kënaqur me punën që kemi bërë. Mendoj që bashkë me aktorët dhe ekipin tjetër kreativ që kanë mbështetur e bashkëndërtuar  shfaqjen ia kemi arritur të sjellim diçka të mirë dhe shumë aktuale. Përshtypjet e njerëzve rreth shfaqjes ishin te jashtëzakonshme. Kjo me bën të ndjehem mirë”, tha Zymberi .

Skenograf i shfaqjes ishte Bekim Korça, muzika Trimor Dhomi, koreograf Gjergj Prevazi, kostumet Yllka Brada  dhe në dritat Mursel Bekteshi.

Reprizat e  shfaqjes  'Burrnesha' vazhdojnë sonte me 11 maj dhe nesër më 12 maj 2022.