Gërvalla në Jerusalem Post: Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan
Jeton Musliu / RTKlive
Gjatë qëndrimit disa ditor në Izrael, ku pati takime të shumta, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në intervistë për gazetën më të madhe, “Jerusalem Post”, paralajmëroi se Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan.
Nën titullin ”Lufta në Ukrainë mund të depërtojë në Ballkan, alarmon Gërvall”, gazeta shkruan se ministrja kosovare ka bërë thirrje që zyrtarët e këtij shteti të shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të ndihmuar në qetësimin e situatës.
“S’kemi dilema se çfarë po dëshiron të arrijë në Ukrainë presidenti rus Vladimir Putin. Ju mund t’i shihni ngjashmëritë se si po vepron Rusia tash në Ukrainë dhe se vepron Serbia në rajonin tonë”, citon gazeta izraelite, ministren Gërvalla.
“Shtetet si Izraeli mund të ndihmojnë në stabilizimin e rajonit”, ka thënë ajo. “Jemi të shqetësuar se Ballkani mund të jetë zona tjetër e nxehtë”.
Gërvalla ka qenë zyrtarja më e lartë e Kosovës që ka vizituar Izraelin që kur dy shtetet nisën raportet ndërshtetërore më 2020, si pjesë e marrëveshjes së iniciuar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Kosova u bë ndër shtetet e para që hapi ambasadë në Jerusalem.
























