Kuvendi zgjodhi një anëtar të Bordit të RTK-së dhe dy anëtarë (E plotësuar)
B. Halimi / RTKlive
Birol Urcan është zgjedhur anëtar i Bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë. Urcan ka fituar me 48 vota të deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, derisa kundërkandidati i tij, Artin Shabani ka marrë 33 vota.
Zgjedhja e anëtarit të Bordit të RTK-së u bë me vota të fshehta, teksa gjashtë vota u shpallën të pavlefshme.
Në seancën e sotme po ashtu janë zgjedhur edhe dy anëtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga komuniteti serb, teksa ka dështuar zgjedhja e një anëtari nga komunitetet tjera jo shumicë. Si rrjedhojë, për këtë pozitë do të rishpallet konkursi.
Në pozitën e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve nga komuniteti serb u zgjodh Nikolla Kabashiq, derisa në pozitën e një anëtari në KGJK nga radhët e jo gjyqtarëve u zgjodh Adriana Miletiq.
Kuvendi është duke i vazhduar punimet me pikat e tjera të rendit të ditës.
Ora 15:55
Opozita nuk votoi marrëveshjen ndërkombëtare, reagon pozita
Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si një veprim të paprecedent që e ka bërë opozita, fakti se PDK e LDK nuk votuan ë marrëveshjen ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Marrëveshja kishte të bënte me projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë.
Pas dështimit të votimit të kësaj marrëveshjeje, në konferencë për media, nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se janë të habitur me këtë veprim të opozitës.
Sipas saj, deputetët opozitarë nuk punojnë në interes të qytetarëve.
Edhe deputeti Armend Muja e quajti të paprecedentë veprimin e partive opozitare në Kuvend.
Ai tha se për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore që prek familjet me asistencë sociale.
Deputetët e PDK-së dhe LDK-së e kundërshtuan marrëveshjen në fjalë, ndërsa pro votuan 63 deputetë.
Ora 15:40
Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare, njëra dështon sërish
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme i kanë miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare, teksa një marrëveshje ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme të deputetëve.
Me shumicë votash janë ratifikiuar Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare, pastaj Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë, si dhe Marrëveshja për kredi në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë.
Ndërkaq, Marrëveshja e financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë” nuk ka marrë votash e nevojshme. Në fakt, vetëm 63 deputetë të mazhorancës kanë votuar pro, derisa 24 deputetë të opozitës kanë votuar kundër.
Kjo marrëveshje edhe më herët nuk e ka gëzuar mbështetjen e 2/3-tave të deputetëve, sa nevojitet për t’u konsideruar e ratifikuar nga Kuvendi.























