Temat e “Imazhit të ditës”, takimet në Bruksel e grevat e BSPK-së
RTKlive
Emisioni “Imazhi i ditës” vjen sot tek shikuesit e RTK-së me disa tema dhe të ftuar. Pas edicionit të lajmeve që fillon në orën 17:00, i ftuar i gazetares Gentiana Begolli-Pustina, fillimisht është Drilon Gashi, njohës i zhvillimeve politike.
Tema që do të diskutohet janë lëvizjet e fundit në skenën politike, pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, javën e kaluar në Berlin.
Gjithashtu, në orët e mbrëmjes do të ketë takim të Josep Borrel, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme me liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor.
Ndërkohë, neser do të ketë gjithashtu në Bruksel, edhe takim të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Për këto tema, do të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me Gjeraqina Tuhinën, gazetaren e përhershme të RTK-së në Bruksel.
Gjithashtu, ditëve të fundit, presidentja Vjosa Osmani, po zhvillon takim në disa vende të Amerikës Latine, kurse tani ndodhet në SHBA, në takime me zyrtarë amerikanë.
Atje ndodhet edhe deputetja Jeta Statovci me të cilën në kuadër të emisionit “Imazhi i ditës” do të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë për të mësuar të rejat e fundit nga takimet edhe me zyrtarët e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Temë tjetër që do të trajtohet në këtë emision është edhe greva e paralajmëruar e BSPK-së ku i ftuar është kryetari Atdhe Hykolli.























