Zgjedhet Organi Përzgjedhës i Pavarur për OSHP (E plotësuar)
BKT
Lajme

Zgjedhet Organi Përzgjedhës i Pavarur për OSHP (E plotësuar)

Blerim Halimi / RTKlive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur tre anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur. Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim anëtarë të këtij organi janë zgjedhur Rrustem Thaçi i propozuar nga Gjykata Supreme, Franciska Zhitia-Imeri nga Gjykata e Apelit e Kosovës dhe Nikola Petronijeviq nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Ky organ ngarkohet që në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik ta shqyrtojë propozimin e Qeverisë për emërimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Kuvendit t’ia paraqesë raportin me rekomandime.  

Këtij votimi i parapriu një debat ndërmjet deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ku këta të fundit kritikuan Qeverinë për procesin e nominimit për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së.  

Arben Gashi nga LDK-ja ka thënë se problemi i OSHP-së është problem goxha i gjatë në Kuvend.

“Në gusht të vitit të kaluar ky Kuvend e pati votuar Komisionin përzgjedhës me kërkesën tuaj, për shkak të urgjencës dhe bllokadave që kishin ndodhur në sistemin e prokurimit në Kosovë. Më pas Qeveria e kreu konkursin, i përzgjedhi njerëzit, i çoi në komision i solli në seancë dhe vetë i rrëzoi. Sot po na thoni se Qeveria e ka këtë ekskluzivitet, kurse kur ne iu thoshim se Qeveria qëllimisht po e lë vendin që një vit pa organ shqyrtues të prokurimit publik me qëllim të abuzimit të parasë publike, thopshit jo se nuk është ashtu. Tash po del që Qeveria ka mundur para një viti me përfunduar këtë punë“, ka theksuar Gashi.

Ndërkaq, Eliza Hoxha nga PDK ka thënë se Organi Përzgjedhës i Pavarur e përzgjedh listën që i përbën dy standarde: atë të konkursit publik dhe atë të nominimit ose propozimit. “Që të dyja janë valide, por nuk janë të tilla kur janë të mishëruara. Askush nuk po thotë që Qeveria nuk ka pasur mundësi të përdorë sipas ligjit procesin e nominimit pa konkurs publik. Por, meqenëse ka pasur një praktikë të tillë ka qenë mirë të bëhet praktikë ajo pjesë e konkursit publik, por nuk mund të jenë të dyjat. Prandaj, ky Organ Përzgjedhës i Pavarur do të përzgjedhë në një listë të njerëzve që është mishërim i dy proceseve dhe në fakt e dëmton aspektin e barazisë në procese publike”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Mimoza Kusari – Lila nga grupi parlamentar i VV-së ka thënë se ligji e qartëson se të nominuarit për OSHP i propozon Qeveria. “Por sot nuk po votojmë për propozimin e Qeverisë por po votojmë për Organin Përzgjedhës të Pavarur, i cili pastaj do të intervistojë dhe do t’i sjellë në Kuvend ata që i ka propozuar Qeveria, e që janë dhjetë, e nga të cilët pesë do të zgjedhen nga Organi Përzgjedhës i Pavarur”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ora 16:20

Kuvendi zgjodhi një anëtar të Bordit të RTK-së dhe dy anëtarë të KGJK-së

Birol Urcan është zgjedhur anëtar i Bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë. Urcan ka fituar me 48 vota të deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, derisa kundërkandidati i tij, Artin Shabani ka marrë 33 vota.

Zgjedhja e anëtarit të Bordit të RTK-së u bë me vota të fshehta, teksa gjashtë vota u shpallën të pavlefshme.

Në seancën e sotme po ashtu janë zgjedhur edhe dy anëtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nga komuniteti serb, teksa ka dështuar zgjedhja e një anëtari nga komunitetet tjera jo shumicë. Si rrjedhojë, për këtë pozitë do të rishpallet konkursi.

Në pozitën e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve nga komuniteti serb u zgjodh Nikolla Kabashiq, derisa në pozitën e një anëtari në KGJK nga radhët e jo gjyqtarëve u zgjodh Adriana Miletiq.

Ora 15:55
Opozita nuk votoi marrëveshjen ndërkombëtare, reagon pozita


Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si një veprim të paprecedent që e ka bërë opozita, fakti se PDK e LDK nuk votuan ë marrëveshjen ndërkombëtare në mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Marrëveshja kishte të bënte me projektin e reformës në sistemin e ndihmës sociale në Kosovë.

Pas dështimit të votimit të kësaj marrëveshjeje, në konferencë për media, nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku tha se janë të habitur me këtë veprim të opozitës.

Sipas saj, deputetët opozitarë nuk punojnë në interes të qytetarëve.

Edhe deputeti Armend Muja e quajti të paprecedentë veprimin e partive opozitare në Kuvend.

Ai tha se  për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore që prek familjet me asistencë sociale.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së e kundërshtuan marrëveshjen në fjalë, ndërsa pro votuan 63 deputetë.

Ora 15:40

Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare, njëra dështon sërish

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme i kanë miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare, teksa një marrëveshje ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme të deputetëve.

Me shumicë votash janë ratifikiuar Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare, pastaj Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë, si dhe Marrëveshja për kredi në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Ndërkaq, Marrëveshja e financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë” nuk ka marrë votash e nevojshme. Në fakt, vetëm 63 deputetë të mazhorancës kanë votuar pro, derisa 24 deputetë të opozitës kanë votuar kundër.

Kjo marrëveshje edhe më herët nuk e ka gëzuar mbështetjen e 2/3-tave të deputetëve, sa nevojitet për t’u konsideruar e ratifikuar nga Kuvendi.


MË SHUME NGA Lajme