Kurti në SHBA: Kosova ka kushte të favorshme për investime në teknologji
Naser Mekolli /RTKlive
Gjatë vizitës dyditore në Kaliforni të SHBA-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është pritur nga profesionistë të suksesshëm të mërgatës, të cilët bashkëpunojnë me kompani me renome botërore siç janë Oracle, Facebook, Amazon, Apple, Netflix dhe shumë të tjera.
“Takimet e nisura në Silicon Valley, me synimin për të vendosur Kosovën në hartën botërore të investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit, i kemi vazhduar edhe me tri kompani të mëdha me shtrirje globale: Uber, Airbnb dhe Microsoft”, ka thënë Kurti.
Në një postim të tij në Facebook, kryeministri Kurti ka njoftuar për takimin me Shefin e Politikave Publike në kompaninë Uber, Andreë Byrne, me të cilin kanë biseduar për investime në Kosovë, sidomos në sektorin e TI-së.
“Mbi 650 kompani në këtë sektor, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë për potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë. Ndërkaq shtimi i numrit të të diplomuarve në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit tregon për kapacitetin në rritje të vendit tonë. Duke marrë parasysh këto cilësi të veçanta të sektorit të TI-së në Kosovë, e ftova kompaninë që ta përfshijnë vendin tonë në strategjinë e tyre të zgjerimit dhe planet e tyre për kontraktim të shërbimeve nga jashtë.”, ka shkruar tutje Kurti.
Ai ka vazhduar takimet i me Airbnb, kompaninë që është duke operuar me shumë sukses në Kosovë dhe e cila po kërkon mënyra se si mund të zgjerojë edhe më tej gjurmën e vet në vendin tonë.
“Gjatë takimit u dakorduam që të shqyrtojmë disa mundësi specifike të investimit në Kosovë, sidomos për sa i përket zhvillimit të turizmit, me theks në atë rural”, thotë tutje Kurti.
Kreu i qeveris, në kuadër të promovimit të sektorit të TI-së në Kosovë, ka zhvilluar një takim edhe te kampusi i kompanisë legjendare, Microsoft, në Silicon Valley.
“Sikurse në takime të tjera, edhe zyrtarët e Microsoft i kam informuar për kushtet e favorshme në Kosovë për investime në sektorin e TI-së, sidomos për shkak të potencialit gjithnjë në rritje të të rinjve që merren me këtë sektor”, ka thënë ai.
Në përmbyllje të vizitës në shtetin e Kalifornisë, Kurti ka organizuar një bashkëbisedim me profesionistë të suksesshëm të mërgatës sonë në rrethin e San Franciskos.
“Gjatë bashkëbisedimit, i cili u mbajt në kuadër të iniciativës së Qeverisë, Dialogu me Mërgatën, kam theksuar se sa e domosdoshme është që mërgimtarët të angazhohen për ta bërë Kosovën një shtet edhe më të suksesshëm dhe më të përparuar”, përfundon Kurti.



























