Video- Prokuroria Speciale nis hetimet për masakrën e Mejës
BKT
Lajme

Video- Prokuroria Speciale nis hetimet për masakrën e Mejës

Visar Shatrolli /RTK

Krimet kundër shqiptarëve në Mejë të Gjakovës të kryera nga Serbia, po hetohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Mbi dy dekada të krimit makabër në Meje të Gjakovës, të kryer nga forcat ushtarake e policore serbe kundër shqiptarëve civilë, tashmë hetimet po kryhen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pasi deri më parë këto hetime ishin kryer nga EULEX-i. Dëshmitë ende i kanë të freskëta ata që i mbijetuan këtij krimi. Rrëfimet dhe punën e Prokurorisë Speciale e sjellim ekskluzivisht RTK.

Është kompleksi memorial i Mejës së Gjakovës. Më 27 prill të vitit 1999 këtu forcat serbe kryen masakrën më të madhe prej rreth 400 masakrave të tjera në të gjithë Kosovën.

Dy dekada më parë forcat serbe kryen njërën prej masakrave me te madhe gjate luftës në Kosovë, Masakrën e Mejsë të Gjakovës. Forcat policore dhe ushtarake serbe ekzekutuan 376 civili te paarmatosur shqiptar. Për këtë krim edhe 23 vite pas luftës nuk është vendosur askush para drejtësisë. Pikërisht për këtë,  Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetim për shikimin e ngjarjes të vendeve se ku janë ekzekutuar këta persona.

Një grup i civilëve ishin ekzekutuar afër shkollës në Meje që ndryshe njihet si “Lugu i Qaragojit” ku ishte edhe postblloku i policisë serbe.

Ibrahim Haxhiu që i kishte parë trupat disa ditë pas masakrës, rrëfen për ngjarjen.

"Pas disa ditëve kur kemi ardhur për vetëm trupave që i kemi pa, mund të them  7 trupa pa kokë kanë qenë. Ka pasur këpuca, pantallona dhe gjësende të ndryshme”, thotë Haxhiu për RTK.

Jo fort larg nga këtu forcat serbe kishin zgjedhur edhe këtë vend për ta kryer vrasjen e një grupi tjetër të shqiptarëve.

Në kodër të këtij fshati në këtë shtëpi  të një serbit vendas ishin stacionuar numër I madh i ushtrisë serbe.

Pak metra më tutje këto forca vranë djalin, burrin dhe vjehrrin e Vera Hasanajt.

"Burrin, djalin, vjehrrin, por për taksirat ish rritë boll me e marrë dikush e të bëj hajgare me të”, thotë Hasanaj për RTK.

Udhëheqësja e Departamentit të Krimeve të Luftës në kuadër të Prokurorisë, Drita Hajdari, së bashku me pjesëtarë të forenzikës dhe hetuesisë vizituan disa lokacione të vrasjeve të këtyre personave. Hajdari tha se tani i është mundësuar hetimi pasi për një kohë me krimet e luftës ishte marrë Eulexi.

"Me ndryshimet e fundit të ligjit për gjykim në mungesë neve na është mundësuar hapja e hetimit andaj jemi në vendin e krimit së bashku me policinë me forenzikën për të lokalizuar vendet ku ndodhur krimi”, thotë prokurorja Hajdari për RTK.

Hajdari ka thënë se kanë arritur të identifikojnë disa persona të cilët e kanë kryer këtë krim.

" Prokuroria Speciale, kemi arritur me intervistu dikun mbi 126 dëshmitar, kemi edhe një numër të madhë të dëshmitarëve për ti intervistuar, po ashtu kemi arritur me identifiku disa prej kryerësit të këtij krimi, fjala është për kryerësit direkt ,ekzekutor, mirëpo kemi arritur me identifiku edhe ata që e dhanë urdhrin për kryerjen e këtij krimi”, thotë Hajdari.

Ndonëse shumica e trupave të të vrarëve nga kjo masakër janë gjetur, disa prej tyre edhe 23 vjet pas luftës figurojnë të zhdukur.

 


MË SHUME NGA Lajme