Inzaghi: Grupi është fantastik, e merituam trofeun e Kupës
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, është shprehur shumë i lumtur me trofeun e Kupës së Italisë.
“Nerazzurët” mbrëmë mposhten Juventusin, me rezultat 4-2, duke fituar trofeun e Kupës së Italisë, garë kjo e dyta më e rëndësishme në tokën italiane.
Tekniku italian tha se është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij në duel me torinezët.
“Duhet të kishim evituar ata dy gola, na dëmtuan, por kjo është ndeshja e 50-të e djemve dhe është e pamundur që t’u kërkoj më shumë”, tha ai.
Sipas Inzaghit, lojtarët e skuadrës se tij janë fantastik. Ai thotë se skuadra e tij e ka merituar trofeun e Kupës së Italisë.
“Grupi është fantastik, ata që hynë bënë gjërat e duhura dhe merituan pa dyshim trofeun. Kundërshtari ishte shumë i fortë, por ne treguam që nuk dorëzohemi kurrë dhe tani na ngelet vetëm të gëzojmë”, u shpreh Inzaghi.























