Më 19 maj deklarata jo nën betim e Salih Mustafës në Speciale (E plotësuar)
Valbona Thaçi/RTKLive
Trupi gjykues në rastin e Salih Mustafës e ka caktuar 26 majin si datë kur parashikon të mbyllet paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes.
Gjyqtarja Mappie Veldt-Folgia e ka urdhëruar mbrojtjen e Mustafës që të njoftojë me shkrim se nuk do të paraqesë dëshmitarë apo materiale të tjera. Kryetarja e turpit gjykues ka bërë të ditur se deklarata jo nën betim e Salih Mustafës do të bëhet më 19 maj.
Trupi gjykues gjithashtu e ka përcaktuar të mërkurën e 25 majit si afat kohor për palët dhe mbrojtjen e viktimave të paraqesin kërkesat për të paraqitur prova materiale të përdorura gjatë pyetjeve përkatëse që ua kanë bërë dëshmitarëve të mbrojtjes të cilët kanë dëshmuar në prill dhe maj të këtij viti.
Urdhrat për seancat e ardhshme në gjyqin ndaj Mustafës, kryetarja e trupit gjykues i ka dhënë gjatë seancës që është mbajtur sot, ku është dëgjuar dëshmitarja e 15-të e mbrojtjes, Ibadete Canolli-Kaçiu.
Ora 17:45
Dëshmitarja e 15-të mohon se në Zllashë pati të ndaluar
Dëshmitarja e radhës e mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Gjykatën Speciale në Hagë, të enjten ishte Ibadete Canolli-Kaçi.
Gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara, ajo tha se ka qëndruar në fshatin Zllash nga data 16 deri më 21 prill të vitit 1999.
Canolli-Kaçiu, e cila ka qenë pjesë e UÇK-së si punëtore shëndetësore, tha para trupit gjykues se Salih Mustafën, në këtë fshat, e ka takuar vetëm më datë 21, ku sipas saj, po i zhvendosnin të plagosurit për në Majac.
Ajo deklaroi se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar apo të cilët janë maltretuar.
Dëshmitarja tregoi se deri në mars 1999 ka jetuar në Prishtinë, ku edhe ka punuar në qendrën rehabilituese të drejtuar nga Flora Brovina.
“Punën e kam ndërprerë me fillimin e bombardimeve më 24 mars 1999, ndërsa më datën 31 të atij muaji, serbët na kanë detyruar të shpërngulemi nga Prishtina”, tha Canolli-Kaçiu.
Dëshmitarja u shpreh se deri më 16 prill, ka qëndruar në fshatin Mramor, në shtëpinë e Afrim Gashit, ndërsa shtoi se nga aty me vullnetin e saj, i është bashkuar gueriles BIA dhe po me atë datë ka shkuar në Zllash.
Canolli, e cila edhe më herët tha se kishte dhënë kontribut në UÇK, theksoi se deri në Zllash ka shkuar në këmbë, e shoqëruar nga tre ushtarë të UCK-së.
Nga Betim Shala, avokat mbrojtës i Mustafës, ajo është pyetur rreth objektit në të cilin ka qëndruar në Zllash, ndërsa tha se aty kanë qenë disa shtëpi të shpërndara.
Dëshmitarja deklaroi se ajo ka hyrë lirshëm dhe se nuk ka pasur nevojë t’i lajmërohet askujt, dhe se ka takuar Isa Kastratin.
“Në fund të oborrit ka qenë një pus (bunar) dhe aty afër e kam takuar Isa Kastratin. Isa Kastrati ka qenë udhëheqës i gueriles, të cilin e kam takuar edhe në Prishtinë”, tha ajo.
“Në objektin e sipërm që ka qenë afër bunarit, ka qenë një objekt pak më i ri, sigurisht i ndërtuar më rishtas”.
Dëshmitarja tha se aty ka qenë një dhomë me një ndarje të vogël. “Në atë dhomën e vogël e kam pasur një barnatore të vogël dhe një shtrat ku aty kam qëndruar”.
Gjatë dëshmisë, dëshmitarja është pyetur për të gjitha veprimet e saj dhe zhvillimin e ngjarjes gjatë qëndrimit në fshatin Zllash të Prishtinës, dhe po ashtu është pyetur nëse e ka takuar dhe kur e ka takuar Sali Mustafën.
Ajo tregoi se Salih Mustafën në Zllash e kishte takuar më datën 21 prill 1999, ndërsa ka shtuar se atë e kishte takuar më herët në Prishtinë.
“Salih Mustafa me sa kujtoj, sa ka qenë përgjegjës për sigurimin e civilëve dhe ushtarëve në zonën ku ky ka vepruar dhe këtë përgjegjësi e ka ndarë me doktoreshën Flora Brovina, i kam takuar në ordinancën ku unë kam punuar”, tha Canolli-Kaçi.
Gjatë dëshmisë, në pyetjen e avokatit Shala se gjatë kohës sa ka qenë në Zllash, a ka parë se ka pasur persona të ndaluar, përkatësisht që kanë qenë të izoluar në një hapësirë të caktuar, dhe a ka parë apo a ka dëgjuar që dikush të jetë maltretuar aty në atë lokalitet, ajo tha se nuk ka vërejtur roje pranë objekteve.
“Aty nuk ka pasur persona të ndaluar”, tha ajo.
Ibadete Canolli-Kaçiu është dëshmitarja e 15-të e mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës në Hagë, i cili është arrestuar më 24 shtator 2020 dhe akuzohet për krime lufte.























