Ministri Sveçla në Francë për vizat
Muharrem Miftari/RTKLive
Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, është për vizitë zyrtare në Francë.
Ministri Sveçla në Francë u prit nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, të Policisë Kombëtare dhe Xhandarmërisë franceze.
Ai përmes Twitterit informoi për bisedimet që pati me institucionet e sigurisë të Francës, me ç’rast bisedoi për progresin që ka arritur Kosova në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.
Tutje, ministri Sveçla kërkoi që Franca të mbështesë Kosovën në liberalizimin e vizave.
Ai theksoi se Kosova është e hapur në bashkëpunim në të ardhmen me Francën.
“Gjatë vizitës sime në Paris, takova përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Policisë Kombëtare dhe Xhandarmërisë për ta diskutuar progresin tonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përsërita rëndësinë e mbështetjes së Francës për liberalizimin e vizave për Kosovën. Të hapur për bashkëpunim në të ardhmen”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, Franca është një nga vendet më skeptike për liberalizim të vizave për Kosovën. Ky vend konsiderohet bllokues në këtë proces.























