34 aktakuza për 24 orë
Valbona Thaçi/RTKLive
Prokurori i Shtetit gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur tridhjetekatër aktakuza kundër dyzetekatër personave, për vepra të ndryshme penale.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar gjashtëmbëdhjetë persona, si dhe janë bërë katër kërkesa për caktim të paraburgimit të pesë personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale, thuhet në njoftimin për media.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur një aktakuzë kundër katër të pandehurve me iniciale F.M., Dh.H., G.D dhe E.T, për veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së, si dhe për veprën penale ‘’Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar njëmbëdhjetë persona, ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, si dhe ka ngritur trembëdhjetë aktakuza kundër katërmbëdhjetë personave për vepra të ndryshme penale.
Kurse Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur trembëdhjetë aktakuza kundër tetëmbëdhjetë personave, për vepra të ndryshme penale.
E Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë, tre persona, si dhe janë ngritur dy aktakuza, kundër tre personave.
Ndërsa Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar një person, si dhe ka bërë dy kërkesa për paraburgim kundër dy personave të dyshuar.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë 1 person të dyshuar, si dhe ka ngritur tri aktakuza kundër tre personave, për vepra të ndryshme penale.
Ndryshe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur dy aktakuza kundër dy personave për vepra të ndryshme penale.























