Gjermania përkrah Kosovën për anëtarësim në KE dhe liberalizim të vizave
BKT
Foto: RTK
Lajmi i Fundit

Gjermania përkrah Kosovën për anëtarësim në KE dhe liberalizim të vizave

Jeton Musliu / RTKlive

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në takim të dërguarin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ky i fundit për herë të parë erdhi në Kosovë dhe  rajon, prej se e mori këtë detyrë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Sarrazin tha se është tërësisht e qartë që qeveria gjermane,  do të vazhdojë të mbështesë gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.  Kur foli për Kosovën, ai ishte edhe më i qartë.

“Gjermania përkrah aplikimin  e Kosovës për anëtarësim  në Këshillin e Evropës dhe gjithashtu e mbështesim vendin në procesin e liberalizimit të vizave”.

Nga ana e saj, ministrja Gërvalla tha se procesi i Berlinit është një proces shumë i rëndësishëm i integrimeve rajonale.

“Tregu i përbashkët gjithashtu është i rëndësishëm. Kam kënaqësinë të dëgjoj se Gjermania do ta shtojë angazhimin e saj ndaj këtyre proceseve”, tha ministrja Gërvalla, në konferencën e përbashkët për media me Manuel Sarrazin.

Zyrtari gjerman, gjatë ditës vizitoi Manastirin e Decanit ku pati takim me igumenin Sava Janjiq, kurse ditë më parë ishte në Beograd, ku mori pjesë në diskutime në disa forume të organizuara atje nga shoqëria civile, përfshirë edhe takimet me zyrtarët më të lartë të shtetit serb.

Ora 20:00

Sarrazin në RTK pati folur edhe për dialog e viza (E plotësuar)

Emisari gjerman për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin, është i dërguari i katërt për Ballkanin Perëndimor për rajonin, pas emisarit amerikan, britanik dhe atij të BE-së.

Në intervistë për RTK-në, të dhënë me 14 prill 2022, Sarrazin, kishte deklaruar se nuk kishte pasur asnjë takim të përbashkët të tyre.

“Kam pasur biseda telefonike me z. Miroslav Lajçak, dhe kolegu tjetër më ka ftuar të vizitoj Londrën, e gjithashtu do të shkoj në Ëashington sa më shpejt të jetë e mundur për të qenë në kontakt dhe për të bashkëpunuar”, tha Sarazin.

“Aq sa e di deri më tani, një takim i përbashkët nuk është planifikuar, por të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Ndërkohë, derisa me Lajçak,  ai u takua para dy javësh në Berlin, kur me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, u takuan edhe kryeministri Kurti e presidenti i Serbisë, Vuçiq, e ku i pranishëm ishte edhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin perëndimor, Miroslav Lajcak, i pranishëm ishte edhe Sarrazin.

Tani ai ndodhet në Kosovë dhe para se të takojë zyrtarët e shtetit takoi igumenin e manastirit të Decanit, Sava Janjiq.

Paraprakisht, ai qëndroi në Beograd për disa ditë ku pati takime me zyrtarë të lartë të shtetit serb.

Sidoqoftë, në intervistën për RTK-në, të dhënë rreth një muaj më parë, Sarrazin pati thënë se Kosova ka qenë temë edhe në koalicionin e sapokrijuar në Gjermani, i cili mbështetë liberalizimin e vizave dhe se Gjermania ka qëndrim të qartë në lidhje me këtë çështje.

“Sa i përket Gjermanisë, të gjitha kriteret për vizat, Kosova i ka përmbushur, kurse sa i përket Francës, nuk mund të japë ndonjë interpretim në emër të tyre”, pati thënë Sarrazin me 14 prill për RTK-në.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Sarazin pati deklaruar se është shumë e rëndësishme të ketë  proces të dialogut të suksesshëm.

Ora 17:40

Sarrazin për RTK-në pati folur për anëtarësimin në KE (E plotësuar)

Emisari gjerman për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin, është i dërguari i katërt për Ballkanin perëndimor për rajonin, pas emisarit amerikan, britanik dhe atij të BE-së.

Në intervistë për RTK-në, të dhënë me 14 prill 2022, Sarrazin, kishte folur edhe për mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e  Evropës.

I pyetur nëse tani është koha e duhur për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, pati thënë se aplikimi pa rezultat të suksesshëm, nuk do të ishte veprim i mirë për Kosovën.

“Sidoqoftë, nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte përfitues vendi në tërësi, por edhe qytetarët, përfshirë edhe minoritetet”, pati thënë ai.

Por, diplomati gjerman kishte shprehur  dyshimet e tij sa i përket paralajmërimeve të Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, duhet rikujtuar se janë pesë vende anëtare që ende nuk e njohin pavarësinë”.

Ora 17:23

Gërvalla pret sot në takim të dërguarin gjerman, Sarrazin

I dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, Manuel Sarrazin, do të pritet në takim nga ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Është kabineti i kësaj të fundit që njoftoi se përveç takimit, do të ketë edhe konferencë të përbashkët për media në orën 19:00.

Paraprakisht gjatë ditës, Sarrazin ishte në Manastirin e Deçanit ku u prit nga igumeni Sava Janjiq.

Emisari gjerman, Sarrazin, ka qëndruar edhe në Serbi ku ka pasur takime me liderët shtetërorë atje.

 


MË SHUME NGA Lajmi i Fundit