Ministri Sveçla në Paris e Bruksel, në përpjekje për liberalizim të vizave
Jeton Musliu / RTKlive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po qëndron në disa shtete të BE,që janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
Ai qëndroi në Komisionin Evropian në Bruksel ku bazuar në vetë deklarimin e këtij institucioni, rezulton se ka marrë përkrahjen e plotë të Komisionit, për çështjen e heqjes së vizave për Kosovën.
“Kënaqësi ta takojmë ministrin e Brendshëm Sveçla sot. I përcollëm mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën”, shkruan në njoftimin e “EU Home Affairs”.
Pas takimit ka reaguar edhe vetë ministri Sveçla duke treguar se ka qenë një takim i mrekullueshëm dhe se është koha që kosovarët të lëvizin lirshëm në BE pa viza.
Paraprakisht, të enjten ai ka realizuar një vizitë në Francë, ku ka takuar zyrtarë nga Ministria e Brendshme e Francës, në përpjekje për t’i bibdur që ky vend të mos pengojë lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza.
Në Paris, siç kishte treguar Sveçla kishte prezantuar progresin e bërë në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kosova mbetet një nga vendet e vetme në rajon me regjim vizash për hyrje në zonën Schengen.
Vendet tjera kanë mbi një dekadë që e kanë fituar këtë të drejtë.
Megjithatë, këtë vit, bazuar në deklarimet e zyrtarëve të lartë të vendeve anëtare të BE-së, pritet të ketë lëvizje pozitive në procesin e liberalizimit të vizave.