Qeveria duhet të ndalojë importin e veturave pa limit
FOTO: RTK
Lajmi i Fundit

Qeveria duhet të ndalojë importin e veturave pa limit

Albana Bajrami/ Radio Kosova

Diskutimet rreth lejimit të importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet në Kosovë, kanë nxitur reagime të shumta nga ekspertët. Ndryshimin e mundshëm të ligjit për automjete e kundërshtojnë ekspertë të fushës së komunikacionit dhe ata të ambientit. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, aktualisht në Kosovë mesatarja e vjetërsisë vlerësohet të sillet nga 15 deri në 18 vjet.

Mesatarja e vjetërisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është rritur dukshëm, përderisa në shtetet e BE-së mesatarja e vjetërsisë është vetëm 8 vjet. Udhëheqësi i sektorit të Monitorimit të Mjedisit në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, Tafë Veselaj, në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën ka thënë se Qeveria duhet të ndalojë importin e veturave pa limit, të cilat nuk i plotësojnë euro standardet, ndërsa, Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës të obligojë qendrat e kontrollimit teknik të kryejnë kontrolle më rigoroze të veturave, duke larguar nga qarkullimi veturat që lirojnë ndotës më shumë se që është e lejuar me aktin nën ligjor. 

“Shkaqet kryesore të ndotjes së ajrit nga automjetet janë: vjetërsia e automjeteve, kontrollimi teknik jo adekuat, cilësia e karburanteve, dhe mos ndalimi në qarkullim i veturave që bëjnë shkarkime të emisioneve jashtë standardit të lejuar. Agjencia për Mjedis ka bërë inventarizimin e gazrave serë dhe ka ardhur në përfundim së 12% të emisioneve të këtyre gazrave rrjedhin nga transporti.”

Naser Lajqi, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, tha për Radio Kosovën se nëse lejohet që në Kosovë të importohen vetura më të vjetra se dhjetë vjet, kjo mund të rrezikojë sigurinë në trafik, pasi sipas tij, vetura të tilla nuk i kanë elementet e sigurisë pasive. Profesor Lajqi, bëri thirrje që nëse vendoset kjo gjë, atëherë të importohen me kufizime të caktuara, duke u plotësuar kriteri Euro 4.

 “Viti i prodhimit 2005/2006, të jetë viti më i largët, pra, që të mos jenë më të vjetra se 15 vjet. Përndryshe, do të krijohet Kosova në një grumbull automjetesh, të cilat do të ndotin edhe më shumë ambientin tonë.”

Profesor Lajqi, bëri të ditur se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka pasur institutin, i cili është marrë me atestimin e automjeteve. Ai sqaroi se si ekspertë kanë marrë pjesë në përpilimin e ligjit për automjete, duke dhënë edhe vërejtjet e caktuara, por të cilat sipas tij, kanë hasur në vesh të shurdhër.

Profesori i lëndëve mjedisore në Universitetin e Prishtinës, Zeqir Veselaj, tha për Radio Kosovën se çdo hap i cili ndërmerret kundër përmirësimit të cilësisë së ajrit, nuk do të përkrahet nga ambientalistët. Ai theksoi se ndryshimi i ligjit për automjetet, mund të rrezikojë shëndetin e njerëzve.

 “Kur tërë Evropa po ndërmerr masa që sa më shumë t’i shtrëngojë standardet e shkarkimeve ndotëse nga sektori i transportit në ajër, po del se Kosova po shkon në drejtim të kundërt, duke bërë një liberalizim të shkarkimeve ndotëse nga ana e veturave të vjetra, kur dihet se ato janë kontribuuesit kryesorë të shkarkimeve të gazrave me efekt serë, që ndikon direkt edhe në shëndetin e njeriut.”

Themeluesja e gazetarisë së gjelbër në Kosovë, gazetarja Behare Bajraktari, kundërshton lejimin e hyrjes së veturave të vjetra, duke theksuar se me këtë Kosova do të konsiderohet si varrezë veturash.

 “Evropa po i nxjerr nga përdorimi, ndërsa deputetët tanë nëse legjitimojnë vjetërsinë e automjeteve, Kosova zyrtarisht mund të konsiderohet varrezë veturash e mbeturinash, e që do të sillte pasoja të mëdha mjedisore e shëndetësore, madje edhe në rrugën tonë drejt Agjendës  së Gjelbër Evropiane.”

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, aktualisht në Kosovë janë mbi 397 mijë mjete motorike dhe jo motorike të regjistruara, ndërsa mesatarja e vjetërsisë vlerësohet të sillet nga 15 deri në 18 vjet. Radio Kosova ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës lidhur me propozimet për ndryshimin e Ligjit për automjetet, por përgjigja e Ministrisë ishte së ende nuk janë duke u marrë me këtë çështje.


MË SHUME NGA Lajmi i Fundit